Liderët izraelitë besohet se janë duke bërë përgatitje të hënën për operacionet ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Aktualisht në këtë qytet strehohet pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës, e cila ka ikur atje si pasojë e luftë së nisur gjashtë muaj më parë.
Në bisedimet në Kajro, me qëllim të arritjes së një armëpushimi, është shënuar “përparim i rëndësishëm”, dhe më shumë negociata pritet të zhvillohen në ditët në vijim, ka raportuar të hënën mediumi shtetëror në Egjipt, Al-Qahera.
Ndërkohë vazhdon të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për dhënie fund të luftës.
Shtetet e Bashkuara, aleatet më të mëdha të Izraelit, kanë kërkuar javën e kaluar një armëpushim dhe marrëveshje për pengjet, si dhe rritje të ndihmave që duhet të hyjnë në Gazë.
Izraeli e ka tërhequr një pjesë të madhe të forcave prej pjesës jugore të Rripit të Gazës të dielën.
SHIKONI EDHE: Izraeli e zvogëlon numrin e ushtarëve në jug të GazësMirëpo, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se trupat e mbetura në qytetin Han Junis “do të përgatiten për misionet në të ardhmen, përfshirë atë në Rafah”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli është “një hap larg fitores”.
Pak pasi trupat izraelite janë larguar prej një pjese të shkatërruar të Han Junisit, një valë palestinezësh të zhvendosur janë nisur në atë drejtim, me shpresën që do të kthehen në shtëpitë e tyre pas disa muajsh jetesë nëpër kampe në Rafah.
Muhammad Yunis, 51-vjeçar, palestinez në veri të Gazës, nuk ka parë asgjë përveç humbjes.
“A nuk kemi parë mjaftueshëm bombardime, vdekje dhe shkatërrim?” ka pyetur ai.
“Ka trupa nën rrënoja. Mund të ndjejmë aromën”.
Lufta është nxitur më 7 tetor të vitit të kaluar, si pasojë e sulmeve të Hamasit kundër Izraelit, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Pas sulmeve të Hamasit, Izraeli ka nisur ofensivë në Gazë me synim shkatërrimin e grupit.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore izraelite janë vrarë të paktën 33.175 palestinezë në Gazë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.