Ushtria izraelite nis sulme në pjesën qendrore të Gazës

Fëmijë palestinezë, të plagosur nga bombardimet izraelite në një kamp refugjatësh, teksa sillen në spitalin Martirët e Al-Aksës, në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, më 4 qershor 2024.

Ushtria izraelite tha se ka filluar "aktivitete operacionale" në dy zona të pjesës qendrore të Gazës, në një zgjerim të mundshëm të ofensivës tokësore njëmujore kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria tha të mërkurën se forcat e saj janë duke operuar "si mbi, ashtu edhe nën tokë" në pjesët lindore të Deir al-Balahut dhe Bureijt - një kamp i ndërtuar refugjatësh palestinezë që daton nga lufta e vitit 1948.

Ushtria tha se kreu sulme ajrore mbi infrastrukturën e militantëve, dhe më pas trupat filluan një operacion tokësor në të dy zonat.

Ofensiva tetëmujore ka shkaktuar ndërprerje në dërgimin e ndihmave me ushqime, ilaçe dhe furnizimeve të tjera për palestinezët që po përballen me krizën e urisë.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë presin që Izraeli dhe Hamasi t'i përgjigjen një propozimi të ri për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.

SHIKONI EDHE: Izraeli beson se mbi një e treta e pengjeve në Gazë kanë vdekur

Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, ndër tjerash përfshin armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, porse kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi, nisi lufta në Rripin e Gazës - të kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën - të vdekura ose të gjalla - nga trupat izraelite.