Izraeli kryen sulme të reja në Bejrut

Bejrut, 2 tetor 2024.

Izraeli kreu të mërkurën një sërë sulmesh të reja në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

Në një postim në platformën X, ushtria tha se caqe të sulmeve ishin “objektivat terroriste”.

Ajo tha se ka lëshuar disa urdhra evakuimi për njerëzit që jetonin në ndërtesat në periferitë jugore të Bejrutit, në orët e para të së mërkurës.

Tash për tash nuk ka raporte për viktima.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit filluan qysh të martën një operacion tokësor kundër objektivave të Hezbollahut - organizatë e cilësuar si terroriste nga SHBA-ja - në Libanin jugor.

Sulmet e reja u kryen disa orë pasi Irani sulmoi me rreth 180 raketa Izraelin, në shenjë hakmarrjeje për, siç tha, vrasjen e aleatëve të tij në Liban.

Irani, gjithashtu, paralajmëroi “sulme shkatërruese” nëse Izraeli përgjigjet.

SHIKONI EDHE: Irani sulmon Izraelin me raketa balistike

Përshkallëzimi i vazhdueshëm ka rritur frikën për rrëshqitjen e rajonit në një luftë gjithëpërfshirëse.