Izraeli do t’i përgjigjet sulmit që Irani e kreu kundër tij me dronë dhe raketa në fundjavë, ka thënë të hënën shefi i ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Herzi Halevi. Ai nuk shpjegoi se si do t’i përgjigjej, megjithatë.
Halevi tha se Izraeli është duke i shqyrtuar hapat që do t’i ndërmarrë, por theksoi se sulmi i fundjavës nga Irani “do të marrë përgjigje”.
Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në bazën ajrore Nevatim, për të cilën Izraeli tha se pësoi dëme të vogla gjatë sulmit iranian.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është takuar me zyrtarët e lartë të vendit për të biseduar për mundësinë për t’iu përgjigjur sulmit të Iranit.
SHIKONI EDHE: Çfarë pritet të ndodhë pas ekspozimit të luftës në hije Iran-Izrael?Irani përdori qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese gjatë sulmit kundër Izraelit në fundjavë.
Liderët botërorë i kanë bërë thirrje Izraelit të mos hakmerret.
Sulmi i së shtunës ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë që Irani e kreu kundër Izraelit, pavarësisht armiqësisë së moçme mes këtyre dy vendeve prej Revolucionit Islamik në Iran më 1979.
Ky sulm ndodhi pasi javë më parë një sulm i dyshuar izraelit i vrau dy gjeneralë iranianë në ndërtesën e konsullatës iraniane në Siri.
Ushtria izraelite thotë se 99 për qind të dronëve dhe raketave të shkrepura nga Irani i shkatërroi me ndihmën e vendeve të tjera, përfshirë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja i thotë Izraelit se nuk merr pjesë në përgjigjen ndaj IranitIrani, ndërkohë, e ka cilësuar si të suksesshëm këtë sulm.
Në Uashington, zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, nuk tregoi nëse Shtetet e Bashkuar janë njoftuar, ose nëse presin të njoftohen për planet e Izraelit për t’iu përgjigjur sulmit të Iranit.
“Ne nuk jemi të përfshirë në procesin e vendimmarrjes së tyre për ndonjë përgjigje të mundshme”, tha Kirby.