Izraeli dërgon ekip shpëtimi për evakuimin e tifozëve nga Amsterdami, pas dhunës

Tifozët përleshen në rrugët e qendër të Amsterdamit, Holandë, 7 nëntor.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të dy avionëve shpëtimtarë në Amsterdam, pas një “incidenti shumë të dhunshëm” ndaj qytetarëve izraelitë, tha zyra e tij të premten.

Policia holandeze tha se u raportua për disa përleshje në qendër të qytetit pas ndeshjes së futbollit mes Ajaxit dhe klubit izraelit Maccabi Tel Aviv të enjten mbrëma.

Ministria e Sigurisë Kombëtare të Izraelit u bëri thirrje izraelitëve në qytetin holandez të qëndrojnë brenda dhomave të hoteleve të tyre pas incidenteve të dhunshme, tha zyra e Netanyahut në një komunikatë tjetër.

“Tifozët, të cilët shkuan për ta parë ndeshjen, u përballën me antisemitizëm dhe u sulmuan me mizori të paparafytyrueshme, thjesht sepse janë hebrenj dhe izraelitë”, tha ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Ben-Gvir, në X.

Policia holandeze tha se 57 njerëz janë ndaluar pas ndeshjes, pasi protestuesit propalestinezë u përpoqën të arrinin afër stadiumit “Johan Cruyff”, edhe pse komuna nuk u kishte dhënë leje për protestë atje.

Policia shtoi se tifozët u larguan nga stadiumi pa asnjë incident, por gjatë natës ndodhën përleshje të ndryshme në qendër të qytetit.

Ushtria izraelite tha se është duke u përgatitur ta nisë menjëherë një skuadër shpëtimi në bashkërendim me Qeverinë e Holandës, pas ndeshjes së futbollit, në të cilën Ajaxi e mposhti klubin izraelit Maccabi Tel Aviv me rezultat 5:0.

“Misioni do të niset me avionë dhe do të përfshijë ekipe mjekësore dhe të shpëtimit”, tha IDF-ja.

Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, tha në X se ishte i “tmerruar” nga raportimet për dhunë në Amsterdam.

“Sulme plotësisht të papranueshme antisemitike ndaj izraelitëve. Jam në kontakt me të gjithë të përfshirët”, tha ai, duke shtuar se bisedoi me Netanyahun dhe “theksova se përgjegjësit do të ndiqen dhe do të përballen me drejtësi”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se i dënon sulmet ndaj tifozëve të ekipit izraelit të futbollit në Amsterdam.

“I dënoj fuqishëm këto akte të papranueshme. Antisemitizmi nuk ka vend në Evropë. Ne jemi të vendosur t’i luftojmë të gjitha format e urrejtjes”, tha ajo.

Politikani antimysliman, Geert Wilders, i cili është lider i partisë më të madhe në Qeverinë holandeze, i dënoi sulmet e raportuara në Amsterdam.

“Ndihem i turpëruar se kjo mund të ndodhë në Holandë. E papranueshme”, shkroi ai në X.

Ky incident ndodhi në një kohë kur tensionet vazhdojnë të jenë shumë të larta në Lindjen e Mesme prej se grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – Hamasi, e kreu një sulm më 7 tetor 2023 në Izrael, ku vrau 1.200 njerëz dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.

Kjo e nxiti Izraelin të nisë një luftë në Gazë, si pasojë e të cilës kanë humbur jetën mbi 43.000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë.

Lufta në Gazë ka nxitur protesta në mbështetje të të dyja palëve nëpër Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilave janë sulmuar si arabët, ashtu edhe izraelitët.