Ushtria izraelite i ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit me një sërë sulmesh ajrore mëngjesin e së premtes, pasi fillimisht i urdhëroi banorët të largoheshin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Disa ndërtesa u shkatërruan në disa lagje të Dayihehut në jug të Bejrutit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban.
Nuk dihet nëse ka viktima nga këto bombardime.
Ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmeve ishin objektet dhe asetet e Hezbollahut. Izraeli vazhdimisht e ka përsëritur këtë qëndrim gjatë kryerjes së sulmeve në gati dy muajt e fundit në Liban.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
SHIKONI EDHE: A do të kërkojë negociata me Izraelin lideri i ri i Hezbollahut?Bombardimet vijnë pas përpjekjeve të reja po të pafrytshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe në Liban, për t’i dhënë fund një viti luftimesh mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, Hezbollah dhe Hamas.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se Izraeli dhe Libani janë duke punuar për ta kuptuar se çfarë nevojitet për ta zbatuar një rezolutë të shkelur të OKB-së, 1701, e cila do të ishte themeli për t’i dhënë fund konfliktit.
Por, koha po soset për të gjetur një zgjidhje para zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA. Zyrtarët e Libanit dhe analistët u treguan pesimistë pas lajmeve se i dërguari amerikan, Amos Hochstein, nuk do të shkojë në Bejrut nga Izraeli, ku ndodhej të enjten.
SHIKONI EDHE: Luftërat në Gazë dhe Liban përçajnë lidhjet e Izraelit me EvropënKonflikti përgjatë kufirit mes Hezbollahut dhe Izraeli u përshkallëzua në luftë të përgjithshme muajin e kaluar, kur Izraeli nisi një valë bombardimesh në të gjithë Libanin dhe vrau udhëheqësin kryesor të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shumicën e zëvendësve të tij.
Forcat tokësore izraelite depërtuan në Liban në fillim të tetorit.
Udhëheqësi i sapoemëruar i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi militant do ta vazhdojë luftën me Izraelin derisa t’i plotësohen kushtet për një armëpushim që ai i vlerëson të pranueshëm.
Rreth 1.2 milion njerëz janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në Liban, sipas vlerësimeve të qeverisë. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se më shumë se 2.800 njerëz janë vrarë dhe 12.900 janë plagosur që nga 8 tetori 2023, kur Hezbollahu filloi të hidhte raketa në Izrael, duke nxitur hakmarrje.