Izraeli i urdhëron të gjithë palestinezët të largohen nga qyteti i dytë më i madh i Gazës

Një grua palestineze e përqafon të birin e plagosur nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, në një spital në Han Junis, 9 korrik 2024.

Izraeli i ka urdhëruar të mërkurën të gjithë palestinezët të largohen nga Qyteti Gaza në veri, në një kohë kur duket se bombardime në territorin e rrethuar palestinez janë përshkallëzuar.

Izraeli thotë se është duke i ndjekur pjesëtarët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – të cilët janë duke u rigrupuar në pjesë të Gazës që ishin bombarduar në fillim të luftës.

Sulmet e mëdha izraelite nëpër Gazë në ditët e fundit, si pasojë e të cilave janë vrarë dhjetëra njerëz, mund të kenë për qëllim ta rrisin trysninë ndaj Hamasit gjatë bisedimeve për armëpushim.

SHIKONI EDHE: Raportohet për luftime të ashpra në Qytetin e Gazës

Ndërmjetësit nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari janë duke mbajtur takime me zyrtarët izraelitë në Katar, për bisedime në përpjekje për ta arritur një marrëveshje armëpushimi.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Lufta gjithashtu ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme dhe ka nxitur një krizë të madhe humanitare në Gazë.

SHIKONI EDHE: Hamasi heq dorë nga një kërkesë kyçe, hapet rruga për armëpushim në Gazë

Izraeli thotë se më shumë se 120 pengje po mbahen ende në Gazë, pasi më shumë se 100 të tjerë u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor. Sipas tij, rreth 40 pengje kanë vdekur dhe druhet se më shumë do të vdesin me vazhdimin e luftës.

Bisedimet për armëpushimin kanë ngecur kohë pas kohe për shkak të kërkesës së Hamasit që çdo marrëveshje të përfshijë përfundimin e luftës.

Kryeministri Netanyahu ka ofruar ndërprerjen e përkohshme të luftimeve, por ka thënë se lufta nuk do të mbarojë derisa Izraeli ta shfarosë Hamasin dhe t’i kthejë të gjitha pengjet që po mbahen nga grupi militant.