Yahya Sinwar, që konsiderohej si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023, i cili nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit është vrarë më 17 tetor, në atë që ushtria izraelite e quajti një “operacion” ushtarak.
Ushtria izraelite shkroi në X se Sinwar është vrarë, duke e lënë Hamasin, grupin që mbështetet nga Irani dhe që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pa lider për të dytën herë në më pak se tre muaj.
Vrasja e Sinwarit po ashtu paraqet një shtysë për ushtrinë izraelite dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili ka qenë nën presion nga shumë aleatë, përfshirë nga SHBA-ja, për shkak të numrit të lartë të viktimave në Gazë si pasojë e luftës dhe për shkak të akuzave se Izraeli po pengon furnizimet me ndihmë humanitare në këtë territor, ku qindra mijëra persona po përballen me krizë humanitare.
“I eliminuar: Yahya Sinwar”, shkroi ushtria izraelite në X, pa dhënë detaje të tjera.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, po ashtu konfirmoi se Sinwari është vrarë, duke e quajtur vrasjen e tij si “fitore për mbarë botën e lirë”. Vrasja e Sinwarit, sipas Katzit, është mundësi "për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe hap rrugën për ndryshim që mund të çojë në një realitet të ri në Gazë".
SHIKONI EDHE:
Sinwar, njeriu “i pamëshirshëm” i Iranit në krye të HamasitKush është udhëheqësi i fshehtë i Hamasit që gjendet në krye të listës së armiqve të Izraelit?Biden thotë se tani ka mundësi për zgjidhje politike në Gazë
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha përmes një deklarate se Izraeli e kishte informuar më herët gjatë 17 tetorit se me gjasë e ka vrarë Sinwarin. Por, shtoi se tani rezultatet e ADN-së e kanë konfirmuar se Sinwari është i vdekur.
“Kjo është një ditë e mirë për Izraelin, SHBA-në dhe për botën”, tha udhëheqësi amerikan.
Biden tha se Sinwar, si udhëheqës i Hamasit, ishte përgjegjës për vrasjen e mijëra izraelitëve, palestinezëve, amerikanëve dhe shtetasve nga 30 shtete të botës.
Biden tha se pas sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, ai ka urdhëruar personelin e operacioneve speciale dhe zyrtarët e inteligjencës që ta ndihmojnë Izraelin që ta gjejë Sinwarin dhe udhëheqësit e tjerë të Hamasit në Gazë. Ai tha se me ndihmën e inteligjencës amerikane, ushtria izraelite papeshuar ka ndjekur liderët e Hamasit.
“Dita e sotme është dëshmi se asnjë terrorist, kudo në botë, nuk mund t’i ikë drejtësisë”, tha ai.
Udhëheqësi amerikan tha se Izraeli ka të drejtë të eliminojë udhëheqjen dhe strukturën e Hamasit, duke shtuar se grupi izraelit më nuk ka aftësi që të kryejë një sulm sikurse ai i 7 tetorit.
“Tani ka mundësi për një ‘ditë të re’ në Gazë, pa Hamasin në pushtet, dhe për një zgjidhje politike që ofron të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët. Yahya Sinwar ishte një pengesë e madhe për arritjen e këtyre qëllimeve. Kjo pengesë më nuk ekziston. Por, para nesh ka ende shumë punë”, tha Biden.
Ndërkaq, edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, tha se Hamasi më nuk është i aftë të kryejë një sulm tjetër sikurse ai i 7 tetorit dhe vrasja e Sinwarit, "na jep një mundësi që përfundimisht t'i japim fund luftës në Gazë".
Your browser doesn’t support HTML5
Më herët, ushtria izraelite tha se tre “terroristë janë eliminuar” gjatë një operacioni ushtarak, por “nuk ka sinjale për prani të pengjeve në zonën” ku u krye operacioni.
Hamasi ende nuk ka komentuar për këtë çështje.
Sinwar ishte zgjedhur udhëheqës i grupit pas vrasjes së Ismael Haniyehut në korrik, në një sulm të dyshuar izraelit në kryeqytetin iranian, Teheran.
Para se të merrte udhëheqjen e Hamasit, Sinwar kishte drejtuar krahun e armatosur të grupit.
Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Përderisa Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për disa nga vdekjet e zyrtarëve të lartë të Hamasit, ka pranuar se ka vrarë disa zyrtarë, përfshirë Saleh al-Arouriand Mohammed Deif, komandantin ushtarak të Hamasit.
Disa analistë dhe diplomatë thanë se vdekja e Sinwarit mund të ofrojë një mundësi për Netanyahun që të ndalë fushatën e Izraelit në Gazë.
“Shpresojë që zhdukja e liderit të Hamasit mund të çojë në një armëpushim në Gazë”, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Kryetari republikan i Dhomës të Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, tha se vdekja e Sinwarit duhet të sjellë “lehtësim” për Izraelin.
Më 15 tetor, SHBA-ja, aleatja kryesore e Izraelit, kërcënoi se do të ndërpresë një pjesë të ndihmës ushtarake nëse Qeveria izraelite nuk do të rrisë qasjen në ndihmë humanitare në Gazë brenda 30 ditësh.
Përmes një letre, të nënshkruar nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i Mbrojtjes, Lloyd Austin, Uashingtoni tha se është “thellësisht i shqetësuar” lidhur me “përkeqësimin e situatës humanitare” në rajon, duke e akuzuar Izraelin se në shtator ka penguar pothuajse 90 për qind të ndihmës humanitare që të transportohej brenda Gazës.
SHIKONI EDHE: SHBA e paralajmëron Izraelin ta përmirësojë gjendjen humanitare në GazëLufta në Gazë është zgjeruar edhe në Liban, ku një tjetër grup që mbështetet nga Irani, Hezbollahu, po lufton me forcat izraelite.
Hezbollahu është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor. Ai është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq BE-ja e ka futur në listë të zezë krahun e tij politik, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.