Izraeli ka thënë se planifikon të bëhet shteti i parë që ofron dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, teksa ky shtet përgatitet për një valë infektimesh të nxitur nga varianti Omicron i këtij virusi.
Ekspertët për pandemi në Izrael kanë rekomanduar një dozë të katërt për personat mbi moshën 60-vjeçare dhe punëtorët shëndetësorë.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett e ka mirëpritur këtë plan dhe u ka thënë zyrtarëve që të nisin përgatitjet.
Ky njoftim vjen pasi Izraeli ka konfirmuar vdekjen e parë të një pacienti të infektuar me variantin Omicron.
Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet ka identifikuar të paktën 340 raste me këtë variant.
SHIKONI EDHE: Dozat përforcuese, kyçe në luftimin e OmicronitVendimi për dozën e katërt duhet të miratohet nga zyrtarë të lartë shëndetësorë, mirëpo zyra e kryeministrit ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se shpreson që doza e katërt të jepet katër muaj pas dozës së tretë.
Ndonëse Izraeli është ndër shtetet që ka zhvilluar më së shpejti fushatën e vaksinimit, vetëm rreth 63 për qind e popullsisë prej 9.3 milionë banorëve kanë marrë të dyja dozat.
Kjo gjë është arsyetuar me faktin se popullsia e Izraelit është relativisht e re dhe një e treta e popullsisë është nën moshën 14-vjeçare.
Për të rritur shkallën e vaksinimit, Izraeli tani vaksinon edhe fëmijët nga mosha pesëvjeçare.
Prej shpërthimit të pandemisë, Izraeli ka regjistruar më shumë se 1.36 milion raste të infektimit me koronavirus.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopins, rreth 8,200 persona kanë vdekur me këtë virus në Izrael.