Izraeli ndalon “terapinë e konvertimit” për homoseksualët

Një vajzë shihet duke mbajtur në duar flamurin e komunitetit LGBT.

Izraeli ka ndaluar terapitë që kanë pasur qëllim “shërimin” e homoseksualitetit.

Ky vendim do të zbatohet menjëherë.

Urdhri i së hënës përfshin edhe ndëshkime për ata që janë përfshirë në “abuzime serioze të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor)”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Nitzan Horowitz, përmes një postimi në Twitter.

“Orientimi seksual nuk është problem që ka nevojë për trajtim. ‘Terapitë e konvertimit’ nuk janë trajtime”, ka shkruar Horowitz.

Ai u është drejtuar pjesëtarëve të komunitetit LGBT, duke u thënë se ata janë “të mrekullueshëm dhe të bukur ashtu siç janë”.

SHIKONI EDHE: Berlini bëhet magnet për polakët e komunitetit LGBT+

Gjermania ka miratuar një ndalesë të pjesshme për “terapitë e konvertimit” më 2020.

Prej atëherë, këto terapi janë ndaluar plotësisht për të rinjtë dhe për të rriturit në situata të caktuara.

Në dekadat e fundit, Izraeli është bërë më tolerant ndaj homoseksualitetit.

Qyteti bregdetar, Tel Aviv konsiderohet pjesërisht liberal.

Megjithatë, çiftet e gjinisë së njëjtë nuk mund të martohen.