Izraeli ka kryer sulme ajrore në kryeqytetin sirian, Damask, dhe pranë një objekti të ushtrisë në afërsi të Homsit, tha Ministria siriane e Mbrojtjes, teksa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi rajonin e Lindjes së Mesme duke kërkuar që të ndalen luftimet.
Sulmet izraelite goditën lagjen Karf Sosa në qendër të Damaskut dhe një objekt të ushtrisë në Homs, duke vrarë një ushtar dhe duke plagosur shtatë të tjerë, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.
Ministria tha se sulmet kanë shkaktuar “dëme materiale”, por nuk ka dha më shumë detaje. Më herët gjatë 24 tetorit, media shtetërore siriane raportoi se janë dëgjuar shpërthime në Damask, pasi Izraeli goditi një ndërtesë banimi në Karf Sosa.
Izraeli zakonisht nuk komenton për raportime specifike të sulmeve në Siri.
Për vite të tëra, Izraeli kryen sulme ndaj caqeve të lidhura me Iranin në Siri, por ka intensifikuar sulmet që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2023, pas sulmit të paprecedent të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit.
SHIKONI EDHE: Blinken thotë se “tani është koha” për t’i dhënë fund luftës në GazëNjë ditë më herët, Izraeli sulmoi periferitë e Bejrutit dhe Hezbollahu – grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – goditi caqet izraelite me raketa precize, duke përdorur për herë të parë raketa të këtij lloji kundër Izraelit.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi. Por, në fillim të tetorit situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.