Netanyahu mandatohet për formimin e Qeverisë së re izraelite

Benjamin Netanyahu.

Ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka siguruar mandatin për të formuar Qeverinë e re, duke i hapur rrugë rikthimit të tij në udhëheqjen e shtetit. Ekzekutivi i ri pritet të jetë administrata më e djathtë që Izraeli ka pasur ndonjëherë.

Pas një krize të paprecedentë politike në Izrael, shtet ku në më pak se katër vjet janë mbajtur pesë palë zgjedhje, votimet e 1 nëntorit i dhanë Netanyahut dhe aleancës së tij të ekstremit të djathtë një shumicë të qartë në Parlamentin prej 120 ulësesh.

“Kam vendosur që t’ua jap ju, Benjamin Netanyahu, detyrën për formimin e Qeverisë”, tha presidenti izraelit, Isaac Herzog, gjatë ceremonisë të mbajtur në Jerusalem më 13 nëntor.

SHIKONI EDHE: Izraelitët u drejtohen sërish kutive të votimit

Duke pranuar mandatin, Netanyahu, 73 vjeç, u zotua se do të shërbejë për të gjithë izraelitët, “për ata që na votuan dhe ata që s’na votuan – kjo është përgjegjësia ime”.

Netanyahu, që po përballet në gjyq me akuza për korrupsion, tani do të ketë 28 ditë për të formuar koalicionin qeverisës me aleatët e tij – dy parti ultra-ortodokse hebreje dhe një aleancë në rritje e ekstremit të djathtë e quajtur Zionizmi Fetar.

Herzog theksoi se është i vetëdijshëm që Netanyahu po përballet me drejtësinë.
“E di faktin që ka procedura ligjore që po vazhdojnë ndaj zotit Netanyahu në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit”, tha ai.

Por, ai tha se precedentët e fundit e kanë bërë të qartë që Netanyahu mund të shërbejë si kryeministër dhe të përballet me organet e drejtësisë.

Netanyahu pritet që të njoftojë së shpejti për formimin e koalicionit qeverisës.

Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, bashkëudhëheqës të bllokut të Zionizmit Fetar, publikisht kanë kërkuar të udhëheqin dy ministri kyçe, atë të Sigurisë Publike dhe Mbrojtjes. Kjo kërkesë vjen në kohën e dhunës midis Izraelit dhe palestinezëve.

Gjatë mandateve të kaluara të Netanyahut në krye të Qeverisë izraelite ka kolapsuar procesi i bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme dhe janë zgjeruar ndërtimet e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor.