Izraeli tha se ka ende ka “boshllëqe”me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se si të arrihet një marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve. Por, Izraeli tha se do të dërgojë një delegacion për bisedimet e reja me ndërmjetësit nga Katari, që do të mbahen javën e ardhshme.
Deklarata nga zëdhënësi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, vjen pasi një delegacion i udhëhequr nga kreu i Mossadit – shërbimit izraelit të inteligjencës – David Barnea, zhvilloi rundin e parë të bisedimeve me ndërmjetësit në Doha më 5 korrik.
“Ka pajtim që javën e ardhshme negociatorët izraelitë të udhëtojnë në Doha për të vazhduar bisedimet. Ka ende ‘boshllëqe’ në mesin e palëve”, tha zëdhënësi përmes një deklarate.
SHIKONI EDHE: Izraeli do të dërgojë delegacion për rinisjen e bisedimeve për armëpushimLufta në Gazë ka nisur nëntë muaj më parë dhe deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje armëpushimi, përveç një pauze njëjavore në nëntor, që mundësoi lirimin e 80 pengjeve izraelite në këmbim të lirimit nga Izraeli të 240 të burgosurve palestinezë.
SHBA-ja, që ka punuar së bashku me Katarin dhe Egjiptin për të ndërmjetësuar një marrëveshje, ka folur për rëndësinë e madhe të vendimit të Netanyahut për të dërguar delegacion në Katar.
SHBA-ja tha se beson që Izraeli dhe Hamasi kanë hapësirë për të arritur marrëveshje.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugin e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të udhëhequr nga Hamasi.