Mjekët e dërrmuar përgatiten për dimër në Izjumin e çliruar
Një pacient duke ecur pranë ish-repartit të kirurgjisë të spitalit në Izjum, në Ukrainën lindore, i cili është shkatërruar nga një sulm rus.
Stafi mjekësor nuk po mund t’i tejkalojë lehtë vuajtjet vdekjeprurëse përgjatë gjashtë muajve nën okupimin rus.
Pacientë duke pushuar jashtë spitalit.
Stafi i spitalit ka kaluar katër muaj duke kryer operacione në bodrum gjatë ditëve të hershme të luftës dhe pas okupimit rus të Izjumit. Teksa dimri po afrohet, ata po mendojnë t’i kthejnë operacionet në bodrum, ku disa njerëz edhe kanë jetuar.
Pacienti Vadym Nazarov (majtas) duke folur me vullnetarin Denis Zhmakin para spitalit.
Spitali ishte e vetmja qendër mjekësore që qëndroi e hapur kur trupat ruse morën Izjumin në kontroll në fillim të marsit. Qyteti u kthye në duart e ukrainasve muajin e kaluar, gjatë një kundërofensive që u dha një goditje të fortë synimeve të Moskës në luftë.
Reparti i shkatërruar i kirurgjisë.
Shenjat rreth kompleksit spitalor që paralajmërojnë për mina po zhduken një nga një, teksa xhenierët e palodhshëm ukrainas po e pastrojnë çdo cep. Vragat nga ajo që ka ndodhur këtu – ndaj ndërtesave dhe ndaj njerëzve që kanë ofruar dhe kanë marrë trajtim – do të marrin më shumë kohë për t’u shëruar.
Mjeku Yuriy Kuznetsov (majtas) duke iu ndihmuar infermiereve që ta vendosnin një pacient në një shtrat.
Mjekët, ndihmësmjekët, infermierët dhe patologët e paktë që kanë qëndruar gjatë okupimit rus ishin e vetmja shpresë për banorët e Izjumit, teksa qytetit i shtoheshin shpejt të sëmurët dhe të plagosurit.
Një laborator që ishte përdorur si repart kirurgjie nga forcat ruse.
Serhiy Botsman, ndihmësmjek i cili e ka të vështirë t’i harrojë momentet e pranimit të civilëve të pashpresë me lëndime të tmerrshme, kështu e përshkruan situatën aktuale: “Askush nuk dëshiron të vijë dhe të na ndihmojë”. “Jam i lodhur. Jam aq i lodhur. Qe shtatë muaj, askush s’ka ardhur të na zëvendësojë. Dhe, si mund të largohem unë duke e ditur që askush s’do të vijë për të na ndihmuar?”.
Një mace duke qëndruar para laboratorit që ishte përdorur nga forcat ruse.
Kuznetsov, po ashtu, jeton me kujtime të tmerrshme. Ai ka parë plagë nga bombat, plumbat dhe copëzat e predhave.
Ai ka thënë se disa njerëz kanë ardhur për të kërkuar ndihmë për trajtimin e lëndimeve që kanë refuzuar t’i shpjegojnë, por që janë dukur si torturë.
Kuznetsov tregon bodrumin e spitalit që është përdorur si repart kirurgjik gjatë bombardimeve të ashpra dhe okupimit nga trupat ruse.
Kuznetsov jetoi në bodrum deri në korrik. Dy barela me rrota dhe një shtrat i ulët shërbenin si tavolina operimi. Dhoma ishte aq e ftohtë saqë “për t’i injektuar solucionet, duhej t’i ngrohnim ato me trupin tonë”, rikujton ai.
Elektricisti që arriti t’i mbante dritat ndezur me një gjenerator me naftë ishte po aq i rëndësishëm sa kirurgu në këtë mjedis të vështirë.
“Ne ishim të gjithë tejet të mërzitur kohë pas kohe. Qanim, shanim. Nuk donim të bënim asgjë”, thotë Kuznetsov. “Pas çdo personi të shpëtuar, pas çdo jete të shpëtuar, shtohej besimi se kishim të drejtë që qëndruam këtu... Ne ishim të bindur se nuk ishte e kotë”.
Kuznetsov duke përgatitur veturën e tij për kthim në shtëpinë e tij, e cila është dëmtuar rëndë nga bombat ruse.
Kufomat në qese plastike duke u transportuar nga morgu, i cili ka mbetur pa energji elektrike dhe kundërmon erë e rëndë. Autopsitë kanë qenë të pamundura gjatë okupimit rus dhe ende janë. Stafi prej tre personash thuhet të jetë në prag të lënies së punës, për shkak të kushteve të vështira.
Mjeku Fedir Zdebskiy duke qëndruar mes të vdekurve në morg. Zdebskiy, një patolog me një këmbë protetike, por i përkushtuar, vazhdoi të punonte në spital – pavarësisht luftës që zhvillohej – për t’u siguruar që të vdekurit do të identifikoheshin.
Zdebskiy duke qëndruar në heshtje në zyrën e tij në morg, më 28 shtator. Ai u vra pak kohë pasi u realizua kjo fotografi. Dëshmitarët thonë se ai u qëllua nga një ushtar rus nga Çeçenia, i cili kërkoi t’ia jepte veturën e tij teksa ai po udhëtonte drejt spitalit. Ushtari ishte dëgjuar të thoshte: “Jeta jote është ende në duart e mia”. Dhe, më pas ishin dëgjuar të shtëna me armë. Zdebskiy ishte 70-vjeçar.
“Ai ishte gjithmonë i kujdesshëm. Njerëzit vdisnin, por ai kujdesej për fëmijët e tyre, për të afërmit e tyre, për nënat e tyre. Ai gjithmonë thoshte: ‘Ky është i biri i dikujt, babai i dikujt, bashkëshorti i dikujt’”, ka thënë Valentyna Bachanova, kolege që pa vrasjen e tij.”Sigurisht, është e kotë të provosh të debatosh me dikë të armatosur”.
Komandanti i ushtarit kishte shkuar t’i merrte deklaratat e dëshmitarëve, por, përtej kësaj, stafi i spitalit nuk e di se çfarë ka ndodhur me vrasësin.