Serbia reagon pas dënimit të Todosijeviqit rreth deklaratave për Reçakun

Ivan Todosijeviq.

Zyrtari i Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviq, është dënuar të mërkurën nga Gjykata Themelore në Prishtinë me një vit burgim - në seancën e rigjykimit - për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati e tij, Nebojsha Vllajiq.

Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për "agresionin e NATO-s" kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë "e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut".

Lista Serbe, që është partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka quajtur vendimin ndaj Todosijeviqit “persekutim të serbëve në Kosovë”.

Ajo ka thënë, po ashtu, se avokati i Todosijeviqit do të bëjë ankesë kundër vendimit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se dënimi ndaj Todosijeviqit është “i turpshëm, i motivuar etnikisht dhe politikisht”.

Sipas tij, aktgjykimi ka treguar se serbëve në Kosovë u mohohet liria e fjalës dhe se autoritetet e Kosovës në fakt po përhapin "urrejtje dhe jotolerancë racore, fetare dhe etnike ndaj serbëve".

Petkoviq u ka bërë thirrje serbëve që të mos bien në “provokime të paramenduara” dhe të qëndrojnë të qetë.

Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën.

Ajo u ka paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar "krim kundër njerëzimit" nga ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

SHIKONI EDHE: Fytyrat e Reçakut

Kronologjia e rastit

Më 24 mars 2019, Todosijeviq, në një tubim të qytetarëve serbë në Zveçan kundër intervenimit të NATO-s, publikisht kishte thënë që “masakra e Reçakut ishte trillim” dhe që “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”.

Deklarata e Todosijeviqit përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Todosijeviq, në dhjetor 2019, është dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata Supreme e Kosovës e pati kthyer rastin në rigjykim, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt të 2021, Todosijeviq ka marrë mbështetjen e votuesve dhe është zgjedhur një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe.

Ai mban edhe pozitën e kryetarit të Zveçanit në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë.

Në mbrojtje të tij shpeshherë del edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Todosijeviq u dënua sepse tha të vërtetën për Reçakun

Ai e ka përmendur Todosijeviqin edhe më 13 shtator, kur u ka folur deputetëve për dialogun me Kosovën.

"Dua t'ju kujtoj Ivan Todosijeviqin... i dënuar me dy vjet, sepse tha se Raçaku ishte mashtrim. Unë e thashë atë gjë po të njëjtën ditë. Dua të mbaj anën e lirisë së shprehjes së mendimit”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se serbët në Kosovë nuk e kanë lirinë e shprehjes, dhe se ata përballen me aktakuza “të fshehura apo publike”.