Liderja e ekstremit të djathtë pritet të bëhet kryeministrja e parë e Italisë

Giorgia Meloni duke votuar në zgjedhjet e përgjithshme.

Liderja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet në Itali dhe pritet të bëhet kryeministrja e parë grua e këtij shteti.

Meloni pritet të formojë një qeveri djathtiste, me prirjet më ekstreme që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Kjo pritet të ngrejë alarmin në pjesën më të madhe të Evropës, pasi Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, pas votimeve, Meloni tha se partia e saj, Vëllezërit e Italisë, do të “qeverisë për të gjithë” dhe nuk do të tradhtojë besimin e popullit.

“Italianët kanë dërguar mesazh të qartë në favor të një qeverie të krahut të djathtë të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë”, tha ajo për gazetarët në Romë, duke mbajtur një pano ku shkruante: “Faleminderit Itali”.

SHIKONI EDHE: Koalicioni i krahut të djathtë drejt fitores së zgjedhjeve në Itali

Sipas rezultateve preliminare, Meloni pritet të fitojë deri në 26 për qind të votave, duke lënë pas rivalin më të afërt Enrico Letta, nga qendra e majtë.

Aleanca e ekstremit të djathtë e Melonit – që përfshin edhe partinë djathtiste Liga e Matteo Salvini dhe partinë e qendrës së djathtë Forca Italia të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi – duket se do të ketë kontrollin edhe të Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, me rreth 44 për qind të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Megjithatë, rezultati i partisë së saj tregon se aleatët e saj kanë performuar dobët në zgjedhje, me partinë e Salvinit që ka fituar 9 për qind, ndërkaq partia e Berlusconit ka rënë nën këtë shifër.

Vendimi se kush do të bëhet lideri i ri i Italisë është në duart e presidentit italian, Sergio Mattarella, dhe ky proces do të marrë kohë.

SHIKONI EDHE: Italia është mësuar me kriza, por jo si me këtë të fundit

Edhe pse Giorgia Meloni ka punuar që të zbusë imazhin e saj, duke theksuar mbështetjen për Ukrainën dhe duke ulur retorikën kundër BE-së, ajo drejton një parti që buron nga një lëvizje e pasluftës që u ngrit nga fashistët e diktatorit Benito Musolini.

Në fillim të këtij viti, gjatë një fjalimi ajo shpalosi prioritetet e partisë së saj.

“Po për familje natyrale, jo për lobin e LGBT-së, po për identitetin seksual, jo për ideologjinë gjinore.... jo dhunës islamike, po për sigurimin e kufijve, jo për migrimin masive... jo për financat e mëdha ndërkombëtare.... jo për burokratët e Brukselit”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, aleanca e qendrës së majtë, sipas rezultateve preliminare ka fituar 26 për qind të votave dhe Debora Serracchiani nga Partia Demokratike, pas zgjedhjeve tha se kjo ishte “një mbrëmje e trishtë” për Italinë. E djathta “ka shumicën në Parlament, por jo në shtet”, tha ajo.

E majta dështoi të formonte një front të qëndrueshëm me partitë e tjera, pasi Qeveria e unitetit kombëtar, u rrëzua në korrik pas 18 muajsh qeverisje. Lëvizja Pesë Yjet nën drejtimin e Guiseppe Conte doli në vendin e tretë në zgjedhje dhe ai nuk ka bashkëpunim me Enrico Letta, pavarësisht se partitë e tyre kanë politika të përbashkëta sa i përket imigracionit dhe rritjes së pagës minimale.

Popullizmi “gjithmonë përfundon në katastrofë”

Politikanët në Gjermani kanë shprehur shqetësim pas fitores së Melonit.

Jurgen Hardt, ligjvënës nga partia konservative e Unionit Demokristian – aktualisht në opozitë – tha se ishte i shqetësuar nga “deklaratat e hapura post-fashiste” të Melonit.

“Racizmi dhe përjashtimi i minoriteteve nuk ka më vend në Evropë”, tha Hardt për Dpa-në.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha se lëvizjet populliste gjithmonë shfaqen gjatë kohërave të vështira, por gjithmonë përfundojnë keq.

“Këto janë kohëra të pasigurta dhe në kohëra si këto, lëvizjet populliste gjithmonë rriten, por gjithmonë përfundojnë në mënyrën e njëjtë: në katastrofë. Sepse ato ofrojnë përgjigje në terma të shkurtër për problemet që janë shumë komplekse”, tha ai.

Partitë e djathta në Evropë mirëpresin fitoren e Melonit

Liderja e partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar, Marine Le Pen, ka lavdëruar kreun e partisë Liga, Matteo Salvini, për rezistimin “ndaj kërcënimeve anti-demokratike dhe arrogante të Bashkimit Evropian”.

Ai shkroi në Twitter se “populli italian ka vendosur që ta marrë në duar fatin e tij duke zgjedhur në Qeveri patriotike dhe sovrane”.

“Përgëzime për Giorgia Meloni dhe Matteo Salvini që kanë rezistuar ndaj kërcënimeve anti-demokratike dhe arrogante të BE-së duke korrur këtë fitore të madhe”.

Po ashtu, drejtori politik i kryeministrit hungarez, Balazs Orban, ka uruar partitë e djathta italiane për fitoren.

“Ne na duhen më shumë miq se kurrë më parë, që ndajnë vizionin e përbashkët dhe qasjen e njëjtë ndaj sfidave të Evropës”, tha ai.

Në Spanjë, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, tha se “miliona evropianë kanë varur shpresat në Itali”.

Ndërkaq, anëtarët e AfD-së në Gjermani kanë uruar Melonin dhe “të gjithë aleancën e qendrës së djathtë”.

Dalja në zgjedhjet e 25 shtatorit ishte 63.91 për qind apo nëntë pikë më e ulët sesa më 2018. Dalja ishte veçmas e ulët në rajonet jugore italiane, përfshirë në Sicili.

Italia është një ndër shtetet themeluese të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe retorika e Melonit bën që ajo të ketë mendime të ngjashme sa i përket bllokut evropian me liderin nacionalist të Hungarisë, Viktor Orban.

Aleatët e saj po ashtu kanë raporte të ngushta me Rusinë. Berlusconi javën e kaluar pretendoi se presidenti rus, Vladimir Putin, “u shty” që ta pushtonte Ukrainën, ndërkaq Salvini ka hedhur dyshime mbi sanksionet që Perëndimi ka vendosur ndaj Moskës.

SHIKONI EDHE: Berlusconi: Putinin “e kanë shtyrë” të nisë luftën

Meloni po ashtu dëshiron që të rishikojë reformat italiane që shteti është pajtuar t’i bëjë, në këmbim që të marrë nga BE-ja pothuajse 200 miliardë euro grante dhe kredi për rimëkëmbjen pas pandemisë së koronavirusit. Ajo ka pretenduar se kriza energjetike ka ndryshuar situatën.

Sipas sondazheve të televizioneve italiane, aleanca e Melonit pritet të fitojë 227-257 ulëse në Dhomën e Deputetëve nga 400 sa ka ky institucion. Ndërkaq, në Senat parashihet që të fitojë deri në 131 nga 200 ulëse.