Italia, përfituesja më e madhe e fondeve të Bashkimit Evropian prej 724 miliardë eurosh (797 miliardë dollarë) për rimëkëmbje pas pandemisë, po lufton për t’i përmbushur objektivat e vendosura nga Brukseli për marrjen e parave, teksa ka mbetur prapa me zbatimin e projekteve të saj.
Të mërkurën, Komisioni i BE-së të shprehu shqetësim për vonesat dhe i bëri thirrje Italisë që të veprojë shpejt për t'i adresuar problemet e saj me programin e financimit, i cili skadon në vitin 2026.
Çka dëshiron Italia?
Në vitin 2021, kryeministri i atëhershëm Mario Draghi, pas një plani të hartuar nga paraardhësi i tij, Giuseppe Conte, mori miratimin nga Brukseli për lejimin e granteve prej 68.9 miliardë eurosh dhe 122.6 miliardë euro kredi të buta, që në total i bie 191.5 miliardë euro - rreth 50 miliardë euro më shumë se çdo vend tjetër.
Qeveria e tij prezantoi 138.640 projekte fillestare, të cilat përfshinin gjashtë fusha investimi: digjitalizimi, tranzicioni ekologjik, infrastruktura, arsimi, barazia sociale dhe shëndetësia.
Deri tash Italia ka marrë një paketë para-financimi dhe dy këste pagesash - në vlerë 67 miliardë euro. Kësti i tretë prej 19 miliardë eurosh do të duhej t’i jepej vendit në fund të vitit 2022, por këto fonde u ngrinë pasi BE-ja tha se donte sqarime në lidhje me përpjekjet e Romës për t'i përmbushur "objektivat dhe pikat kryesore", të nevojshme për t’i zhbllokuar paratë.
Qeveria thotë se iu përgjigj të gjitha pyetjeve të Komisionit të BE-së dhe beson se paratë do të vijnë së shpejti.
SHIKONI EDHE: BE-ja në korrik do të negociojë për buxhetin dhe fondin e rimëkëmbjesCili është problemi?
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila mori detyrën tetorin e kaluar, ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës dhe inflacioni i lartë kanë bërë që plani origjinal të rishikohet dhe ka marrë miratimin nga Brukseli për të paraqitur një program të rinovuar.
Zyrtarë të Qeverisë italiane, jozyrtarisht thonë se plani fillestar ishte thellësisht i mangët, duke u ankuar se ishte absurde të mendohej se Italia mund të shpenzonte kaq shumë para deri në vitin 2026, kur vendi ka një nga rekordet më të këqija për shpenzimin e fondeve të BE-së në dekadat e fundit.
Qeveria kërkon garanci me shkrim se çdo iniciativë për rimëkëmbje pas pandemisë do të përfundojë me kohë. Nëse jo, ato do të shkëmbehen.
Administratat vendore po luftojnë për t'i përmbushur afatet - një problem i përkeqësuar nga vitet e masave shtrënguese që i kanë lënë rajonet dhe bashkitë pa staf të kualifikuar.
Ekspertët thonë se një mori projektesh të vogla po e rëndojnë, gjithashtu, sistemin. Një raport nga Universiteti Bocconi i Milanos thotë se 76.000 projekte kanë vlerë më pak se 70.000 euro secili, dhe vihet në pikëpyetje nëse ato duhen lënë në njërën anë për t’i liruar punonjësit e administratës.
Zyrtarët qeveritarë thonë se projektet e tepërta po krijojnë, po ashtu, mungesë të fuqisë punëtore, që rrezikon t’i vonojë disa nga projektet e mëdha të infrastrukturës edhe pas vitit 2026.
SHIKONI EDHE: Italia është mësuar me kriza, por jo si me këtë të funditA ka ndonjë faj Qeveria e re?
Meloni ndryshoi mënyrën se si mbikëqyreshin fondet dhe për këtë çështje e vendosi në krye ministrin e Çështjeve Evropiane, Raffaele Fitto. Ai është duke krijuar ekipin e tij dhe disa emërime kyçe nuk janë bërë ende. Kështu, riorganizimi i ka humbur Italisë kohë të vlefshme. Ekziston, gjithashtu, një mungesë transparence për statusin e projekteve, që kur Qeveria e re e Italisë mori mandatin vitin e kaluar.
Fitto ka premtuar t'i paraqesë Brukselit një plan të rishikuar deri në fund të gushtit, por kritikët thonë se shqyrtimi i tij po zgjat shumë, duke ngritur dyshime të mëtejshme nëse paratë mund të shpenzohen deri në vitin 2026.
Qeveria thotë se nuk mund të nxitojë sepse duhet t'i paraqesë Brukselit një plan përfundimtar. Një zyrtar qeveritar tha se projeksionet e bëra nga administratat e mëparshme ishin joreale.
Cilat janë opsionet?
Gjëja më e thjeshtë do të ishte ta pranonin se për Italinë kjo është “kafshatë më e madhe sesa që mund ta përtypë”, dhe t'i zvogëlojë fondet e rimëkëmbjes. Megjithatë, ministrat këmbëngulin se Italia do t’i përdorë të gjitha paratë e ndara.
Drejtuesit e bizneseve i kanë kërkuar Qeverisë që t’i ridestinojë fondet në sektorin privat, në formën e lehtësimit të taksave. Në këtë drejtim, një zyrtar i lartë tha këtë muaj se Roma po kërkon të investojë një pjesë të fondeve për të ndihmuar kompanitë vendore me skema të ndryshme, përfshirë rinovimin ekologjik të impianteve industriale.
Qeveria ka sinjalizuar, gjithashtu, se dëshiron t'i përdorë këto fonde për projekte të reja strategjike të energjisë, duke përfshirë ndërtimin e një lidhjeje për të sjellë gazin dhe hidrogjenin e prodhuar në Afrikën e Veriut në Evropë.
Megjithatë, BE-ja thotë se fondi i rimëkëmbjes duhet të përdoret për tranzicion ekologjik, që do të thotë se mund të mos pajtohet me nisma të tilla.