Italia me më së shumti raste të koronavirusit në Evropë

Ushtarët në Itali duke mbajtur maska pranë Katedralës Duomo në Milano, e cila është mbyllur pas përhapjes së koronavirusit.

Raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri po raportohen në të gjithë botën, duke rritur frikën për një pandemi globale.

Italia ka numrin më të madh të rasteve në Evropë. Rreth 150 persona janë infektuar me virusin e ri dhe deri më tani janë raportuar tre persona të vdekur.

Qeveria njoftoi për një sërë masash drastike gjatë fundjavës, në përpjekje për të kontrolluar shpërthimin e virusit.

Në disa qytete të rajonit të Lombardisë dhe Venetos, janë vendosur kufizime në lëvizje të banorëve.

Për dy javët e ardhshme, 50.000 banorë nuk do të mund të largohen, pa leje speciale.

Edhe jashtë zonës, shumë biznese dhe shkolla kanë pezulluar aktivitetet, dhe ngjarjet sportive janë anuluar - përfshirë disa ndeshje futbolli.

Autoritetet ndaluan edhe karnevalin tradicional të Venecias.

Zyrtarët nuk kanë arritur të gjejnë ende bartësin fillestar të virusit në vend.

Kryeministri, Giuseppe Conte, njoftoi se "masat e jashtëzakonshme" do të hynin në fuqi, për t'u përpjekur të frenojnë numrin në rritje të rasteve të koronavirusit.

Ai tha se kufizimet mund të zgjasin me javë.

Policia, tha se nëse është e nevojshme forcat e armatosura, do të kenë autoritetin të sigurojnë që rregullat po zbatohen.

Universitetet në Milano janë mbyllur dhe kryetari i qytetit, Giuseppe Sala, tha se gjithashtu edhe shkollat do të mbyllin dyert, si një masë për të parandaluar përhapjen e virusit.

SHIKONI EDHE: Kina publikon studimin më të madh për koronavirusin e ri

Në Austrinë fqinje, një tren nga Venecia u ndalua në kufirin austriak, pasi dy pasagjerë kishin simptoma të etheve.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer konfirmoi më vonë për BBC se analizat treguan rezultat negativ për këta dy persona.

Asnjë shtetas i Kosovës në Itali nuk është prekur nga virusi


Përmes një njoftimi Ambasada e Kosovës në Romë ka thënë se deri më 24 shkurt asnjë shtetas i Kosovës në Itali, nuk është prekur nga virusi.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë së bashku me
Konsullatën e Përgjithshme në Milano janë duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e Koronavirus - Covid 19 në Itali".

"Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova. Në koordinim me organet dhe institucionet tona dhe ato vendore italiane, mbetemi në gatishmëri të plotë të shtetasve tanë”, thuhet në njoftimin e ambasadës të bërë në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se Komiteti për Sëmundje Ngjitëse ka përgatitur e miratuar Planin e gatishmërisë dhe reagimit për koronavirusin e ri.

“Komiteti, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, do t'i kërkojë Qeverisë edhe ndërmarrjen e masave shtesë për krijimin e kapaciteteve (të identifikuara tashmë) për aplikimin e masave specifike, si karantina, në rast nevoje”, thuhet në njoftim.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë bëjnë të ditur se deri më 23 shkurt nuk ka raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.

SHIKONI EDHE: Koronavirusi ndikon në rënien e blerjeve online nga Kina

Situata në vende tjera të botës

Të hënën, Afganistani, Kuvajti dhe Bahrejni raportuan rastet e tyre të para të të infektuarve me koronavirusin e ri.

Të sëmurët ishin kthyer nga Irani.

Mediat shtetërore iraniane cituan ligjvënësin, Asadollah Abbasi, të thoshte se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara tani ishte 47, përfshirë 12 vdekje.

Në Iran, ku shumica e infeksioneve ishin në Qom, autoritetet kanë vendosur kufizime në hapësirat publike në përpjekje për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes.

Vendet fqinje përfshirë Irakun, Pakistanin, Turqinë, Armeninë dhe Afganistanin kanë vendosur kufizime të udhëtimit në Republikën Islamike.

SHIKONI EDHE: Guterres: Koronavirusi paraqet një situatë shumë të rrezikshme

Në Korenë e Jugut, shtatë njerëz kanë vdekur ndërkaq 763 njerëz janë të infektuar - numri më i madh jashtë Kinës.

Në epiqendrën e virusit, në Kinë, janë raportuar rreth 77.000 raste të të infektuarve. Rreth 2,600 pacientë kanë vdekur.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se mundësia për të përmirësuar gjendjen është "ngushtuar".

Paul Hunter, profesor i mbrojtjes shëndetësore në Universitetin e Anglisë Lindore në Mbretërinë e Bashkuar, i bëri jehonë deklaratës së kreut të OBSH-së, duke thënë se rritja e rasteve jashtë Kinës ishte "jashtëzakonisht shqetësuese".

Origjina e sëmundjes

Koronavirusi, që është një familje e gjerë virusesh, mendohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në muajin dhjetor. Koronavirusi shkakton simptome të ngjashme me pneumoninë. Ende nuk ka një vaksinë për të.

Përgatiti: Kestrin Kumnova