Liderët amerikanë vlerësojnë kontributin e sekretares Albright

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nderon ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, teksa arkivoli i saj arrin në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit më 27 prill 2022.

Në ceremoninë përkujtuese kushtuar ish-sekretares Albright morën pjesë edhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton. 

Në fjalimin e tij, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Madeleine Albright ka ndryshuar rrjedhën e historisë. Ai tha se Albright, në cilësinë e sekretares së Shtetit ndihmoi në ndaljen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor. 

Në ceremoninë përkujtuese morën pjesë edhe ish-sekretarët e Shtetit, Condoleezza Rice dhe John Kerry, si dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. 

Albright ishte emëruar sekretare e Shtetit në mandatin e dytë presidencial të Bill Clintonit. Ajo ishte gruaja e parë që ka shërbyer në këtë post. 

Ish-presidenti Bill Clinton në fjalimin e tij kujtoi vizitën e fundit që kishte realizuar me ish-sekretaren Albright në Kosovë dy vjet më parë. Ai tha se ajo ishte një ditë e lumtur për të dy, teksa morën pjesë në zbulimin e bustit në Prishtinë dedikuar ish-sekretares Albright. 

Në ceremoninë përkujtuese kushtuar ish-sekretares Albright morën pjesë rreth 1,400 persona, përfshirë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. 

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se bota duhet të ndjekë shembullin e Albrightit dhe të ngrihet kundër diktatorëve dhe demagogëve. 

Vajzat e ish-sekretares Albright, Anne, Katharine dhe Alice, kujtuan nënën e tyre gjatë ceremonisë të mbajtur në Uashington më 27 prill. 

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga. 

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, ndërhyrje që çoi në çlirimin e Kosovës.

Madeleine Albright vdiq nga kanceri në moshën 84-vjeçare. 

Rreth 1,400 veta janë mbledhur më 27 prill në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq më 23 mars. Presidenti amerikan, Joe Biden tha se Albright ishte sinonim për Amerikën si forcë për të mirë në botë, ndërkaq ish-presidenti Bill Clinton kujtoi vizitën e fundit në Kosovë dy vjet më parë, ku të dy morën pjesë në zbulimin e bustit dedikuar sekretares Albright. Ajo vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, ndërhyrje që çoi në çlirimin e Kosovës.