Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Dakaj, ka mbërritur në Kosovë të premten pasdite, pasi u lirua nga paraburgimi në Serbi, ku ishte mbajtur për një vit nën akuza për krime lufte, kanë konfirmuar familjarët e tij.
Dakaj ishte arrestuar më 5 janar 2024 në pikëkalimin kufitar në Merdarë, që lidh Kosovën dhe Serbinë.
Vëllai i tij, Gzim Dakaj, konfirmoi për televizionin Koha se Hasanin e morën të premten rreth orës 17:00 nga pika kufitare në Merdarë.
Mediat lokale publikuan pamje të Hasan Dakajt duke u përqafuar me të afërmit e vet në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar me Serbinë.
SHIKONI EDHE: Një muaj paraburgim për ish-pjesëtarin e UÇK-së të arrestuar në SerbiDakaj akuzohej sipas nenit 142 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë – që ishte në fuqi më 1999 – për krime lufte, privim nga liria e disa personave joshqiptarë, rrahje, torturë dhe vrasje.
Ministria e Jashtme e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë rreth lirimit të Dakajt nga burgu në Serbi.
Lirimi i Dakajt vjen rreth dy muaj pasi autoritetet serbe e liruan në tetor një shtetas tjetër kosovar të mbajtur nën dyshimin për krime lufte.
Sadik Duraku, me shtetësi të Britanisë së Madhe dhe Kosovës, u lirua më 15 tetor, rreth pesë muaj pasi ishte arrestuar nën dyshime për krime lufte më 1999.
SHIKONI EDHE: MPJD: Serbia liron Sadik DurakunEdhe dy shtetas të tjerë të Kosovës gjenden në paraburgim në Serbi, nën akuza për krime lufte: Nezir Mehmetaj dhe Tefik Mustafa.
Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Serbisë e dënoi me gjashtë vjet burgim Nezir Mehmetajn, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës në korrik të vitit 2024 kërkoi nga Serbia që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen atje.
Por, udhëheqësja e kësaj Ministrie, Albulena Haxhiu, deklaroi se është e vështirë që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.
Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.
SHIKONI EDHE: Mehmetaj do të apelojë dënimin për krime lufte nga gjykata serbePuna e Prokurorisë serbe është kritikuar në të kaluarën.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.
Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.
Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve