Një gjykatë në Teheran e ka dënuar iraniano-amerikanin, Reza Valizadeh, ish-gazetar i Radios Evropa e Lirë, me 10 vjet burgim.
Në një vendim të lëshuar nga gjykata, të cilën e ka parë Shërbimi iranian i Radios Evropa e Lirë, është thënë se Valizadehut i është ndaluar jetesa në provincën e Teheranit dhe provincat fqinje, i është ndaluar të largohet nga shteti, dhe që të jetë pjesë e partive politike, apo grupeve tjera, pasi ta përfundojë dënimin.
Gjyqtari Iman Afshari e ka marrë vendimin kundër gazetarit, duke e shpallur fajtor për “bashkëpunimin me Qeverinë armiqësore amerikane”.
Avokati i Reza Valizadehut pritet të apelojë vendimin dhe të kërkojë gjykim të ri.
Më 2022, Reza Valizadeh ka dhënë dorëheqje nga puna që ka pasur në Radion Evropa e Lirë, pas 10 vjetësh kontribut.
Pasi ka jetuar jashtë Iranit për një kohë, ai është kthyer në vendlindje më 6 mars të këtij viti për të vizituar familjen dhe është arrestuar në tetor.
Familjarë të tij i kanë treguar Radios Evropa e Lirë se ndonëse disa burime të tij brenda shërbimeve të sigurisë i kanë premtuar që nuk do të kishte probleme në rast të kthimit në Iran, ai është arrestuar menjëherë.
Sipas tyre, ai ka qenë në vëzhgim prej momentit kur ka arritur në Iran dhe pas marrjeve të vazhdueshme në pyetje, është arrestuar.
Ai besohet se është duke vuajtur dënimin në burgun Evin dhe i janë pamundësuar vizitat.
Valizadeh pati shkruar në rrjetin social X – të njohur më parë si Twitter - se ka vendosur të kthehet në vendin e vet, duke marrë vetë përgjegjësinë për këtë vendim, mirëpo nuk dihet se në çfarë rrethanash e ka bërë atë postim.
Organizatat Reporterët pa Kufij dhe Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve e kanë dënuar arrestimin e tij.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit e ka dënuar arrestimin e Valizadehut, si shtetas amerikan, duke e quajtur vendimin si mizor dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë është medium i pavarur që financohet nga Kongresi amerikan, përmes Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM).