Qendrat e votimit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian hapen të premten në Republikën Çeke dhe në Irlandë, në ditën e dytë të këtij procesi.
Përgjatë katër ditëve, sa zgjasin këto zgjedhje, do të mund të votojnë 360 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të bllokut evropian.
Në Irlandë, partia opozitare, Sinn Fein synon t’i shfrytëzojë këto zgjedhje për të rritur mbështetjen para zgjedhjeve kombëtare që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm.
“Votoni për Sinn Fein të premten, si hap i parë drejt ndryshimit të qeverisjes”, ka thënë liderja e partisë, Mary Lou McDonald.
Irlanda i ka 14 ulëse të rezervuara në Parlamentin Evropian.
Publiku në këtë shtet është i shqetësuar për rritjen e numrit të azilkërkuesve, prandaj edhe është rritur numri i kandidatëve të pavarur që kanë dalë me premtimet për politika më të ashpra të imigrimit.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet për Parlamentin Evropian: Si organizohen dhe kush mund të votojë?Në Republikën Çeke, zgjedhjet do të mbahen të premten dhe të shtunën. Ky shtet i ka 21 ulëse të rezervuara në Parlamentin Evropian.
Partia opozitare ANO, pritet t’iu afrohet shifrave të partive që janë aktualisht në pushtet, sipas agjencisë çeke të sondazheve, STEM.
Duke qenë zgjedhjet e para pas pandemisë së koronavirusit, nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, valës së imigrantëve, dhe rritjes së rreziqeve prej ndryshimeve klimatike, këto zgjedhje po konsiderohen tejet të rëndësishme për të ardhmen e Parlamentit Evropian.
Kjo, gjithashtu, është herë e parë që mbahen zgjedhje të tilla pa Britaninë e Madhe, e cila është larguar zyrtarisht prej BE-së më 2020.
Holanda ka qenë shteti i parë që i ka nisur votimet të enjten, ndërsa të shtunën, procesi nis edhe në Itali, Letoni, Maltë, Sllovaki dhe Itali.
Pjesa tjetër e shteteve do të votojnë të dielën.