Iranianët rrezikojnë të mbeten pa Telegram

Ilustrim

Për dhjetëra miliona iranianë, Telegrami është një mjet i domosdoshëm. Aplikacioni i koduar i mesazheve përdoret nga gjysma e popullsisë për gjithçka – nga shpërndarja e videove me familjarë dhe miq deri te bërja e biznesit dhe debati politik. Gjatë viteve, ai është bërë mjet komunikimi edhe në mesin e zyrtarëve dhe institucioneve shtetërore.

Por, njoftimi i së mërkurës se mekanizmat qeveritarë do të ndalojnë të përdorin aplikacionet e huaja të mesazheve, përfshirë Telegramin, i shqetëson qytetarët që duan të ndajnë informacione pa frikën e ndëshkimit.

Në të kaluarën, autoritetet kanë bërë përpjekje të filtrojnë Telegramin, për t’i penguar figurat anti-establishment të kenë komunikim të sigurt.

Përballë mundësisë që Telegrami të bllokohet plotësisht, autoritetet kanë promovuar disa alternativa vendore.

Vetë udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khameni, ka lavdëruar sigurinë e shërbimeve vendore të mesazheve, ndërsa ka njoftuar të mërkurën se ai, personalisht, nuk do të përdorë më Telegramin dhe se do të kyçet tek alternativat që ofron Irani.

“Zyrtarët duhet të mbrojnë sigurinë dhe privatësinë e popullit dhe vendit tonë”, ka thënë Khameni në një takim këtë muaj.

“Pushtimi i privatësisë dhe i sigurisë së njerëzve është i ndaluar me fe, është kundër ligjit islamik dhe nuk duhet të ndërmerret”, ka thënë Khamenei.

Llogaria e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në Telegram.

Komentet e tij pasuan paralajmërimet e zyrtarëve dhe ligjvënësve se Telegrami mund të bllokohet plotësisht.

Sekretari i Këshillit të Lartë të Kibrenetikës në Iran, Abolhassan Firouzabadi, i cili pranoi se përdor edhe Telegramin, edhe Instagramin, tha më 16 prill se Telegrami mund të bllokohet “çdo minutë”, ndërsa dy ligjvënës të tjerë konservatorë thanë se ai mund të bllokohet më 21 prill.

Zyrtarë të lartë kanë bërë përpjekje të sigurojnë përdoruesit potencialë të aplikacioneve vendore se të dhënat e tyre do të ruhen.

“Asnjë mesazh nuk do të lexohet, asnjë informacion nuk do t’i komunikohet askujt”, ka thënë javën e kaluar ministri i Komunikimeve i Iranit, Javad Azari Jahromi.

Por, as deklarata e Khameneit se shkelja e privatësisë online është e ndaluar në Republikën Islamike nuk duket se i qetëson iranianët që janë mësuar me ndërhyrjen e shtetit në aspekte të ndryshme të jetës së tyre, përfshirë edhe pamjen personale.

Ata që janë politikisht aktivë përballen me rrezik më të lartë të shkeljes së privatësisë së tyre.

Ish-të burgosur politikë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se hetuesit shpesh u kanë treguar kopjet e postimeve të tyre në mediat sociale, e-mailet dhe mesazhet me tekst, të cilat i kanë përdorur kundër tyre.

Disa po ashtu kanë thënë se janë detyruar t'iu japin hetuesve fjalëkalimet e llogarive të tyre në mediat sociale.

Një përdoruese me emrin Parastoo, një feministe që ka ndarë përvojën e saj pasi është arrestuar në Iran, ka shkruar në Twitter se hetuesit e saj i kanë bërë presion të tregojë nëse është e virgjër ose jo.

“Gjatë hetimeve, jam pyetur disa herë nëse jam e virgjër. U kam thënë se nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe nëse u duhet të dinë, ata duhet të më referojnë te mjeku”, ka shkruar ajo.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve në Iran, Ilna, ka raportuar se Ministria e Arsimit ka ndaluar tashmë përdorimin e aplikacioneve të huaja si Telegram dhe Instagram në shkollat në Iran.

Përgatiti: Valona Tela