Irani thotë se lideri i Hamasit u vra nga një raketë me rreze të shkurtër veprimi

Shefi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, gjatë një konference për media në Teheran të Iranit më 26 mars 2024.

Garda Revolucionare e Iranit tha të shtunën se Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, u vra nga një raketë me rreze të shkurtër veprimi.

Ajo i akuzoi Shtetet e Bashkuara se e mbështetën sulmin, për të cilin e fajësoi Izraelin, raporton televizioni shtetëror iranian.

Garda Revolucionare e përsëriti thirrjen për hakmarrje, dhe tha u përdor “një raketë e mbushur me materiale me peshë rreth shtatë kilogramë” për ta vrarë liderin e Hamasit në banesën ku po qëndronte ai në Teheran të mërkurën. Ajo tha se sulmi shkaktoi shkatërrim të madh, por nuk tregoi hollësi rreth vendndodhjes së banesës.

SHIKONI EDHE: Kush ishte lideri i vrarë i Hamasit, Ismail Haniyeh?

Haniyeh ndodhej në Iran për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian.

“Sulmi u planifikua dhe u krye nga regjimi zionist dhe u mbështet nga SHBA-ja”, tha Garda në komunikatën e publikuar në televizionin shtetëror.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut, por as nuk e ka mohuar atë. Megjithatë, Izraeli vazhdimisht është zotuar se do t’i vrasë atë dhe liderët e tjerë të Hamasit, për shkak të sulmit që ky grup e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor, duke e nxitur luftën në Rripin e Gazës.

SHIKONI EDHE: Të tronditur nga vrasja e liderit të Hamasit, Irani e aleatët shqyrtojnë përgjigjen

Vrasja e tij ka nxitur frikën për rrezikun e një konflikti të gjerë rajonal dhe të një lufte të drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Iranit, nëse Teherani hakmerret.

Në prill, Irani e nisi një sulm ndaj territorit izraelit me dronë dhe raketa. Izraeli i rrëzoi pothuajse të gjitha gati 300 raketat dhe dronët iranianë, falë ndihmës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.

Irani nuk e njeh Izraelin dhe i mbështet grupet kundër Izraelit, përfshirë Hamasin dhe grupin libanez, Hezbollah.