Irani thotë se do t’i mbajë “këshilltarët ushtarakë” në Siri

Luftëtarë kundër Qeverisë së Sirisë, shihen me armë teksa shëtitin në qytetin e Alepos. Fotografi e 30 nëntorit 2024.

Irani ka thënë të hënën se planifikon t’i mbajë "këshilltarët ushtarakë" në Siri, pasi qyteti i dytë më i madh i këtij vendi aleat, Alepo, është marrë nga rebelët përmes një ofensive të befasishme.

Republika Islamike e Iranit, e cila e ka përkrahur presidentin sirian, Bashar al-Assad prej shpërthimit të luftës civile në Siri më 2011, ka thënë se angazhon "këshilltarë ushtarakë" në shtete vetëm me ftesë të Damaskut.

“Ne kemi hyrë në Siri shumë vjet më parë, me ftesë zyrtare të Qeverisë siriane, kur populli sirian është përballur me kërcënim të terrorizmit”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaeil.

“Këshilltarët tanë ushtarakë kanë qenë prezentë në Siri, dhe janë ende” dhe do të vazhdojnë të jenë “në përputhje me dëshirën” e Qeverisë së Sirisë, ka thënë ai në një konferencë për media në Teheran.

SHIKONI EDHE: Forcat opozitare siriane hyjnë në Alepo

Baqaeil nuk e ka specifikuar nëse Irani do të rrisë numrin e forcave të veta në Siri, pas nisjes së ofensivës së rebelëve.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi është takuar me Assadin në Damask, si shenjë mbështetjeje për presidentin sirian.

Qyteti i Alepos ka rënë në duart e aleancës islamiste të rebelëve javën e kaluar, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejta të Njeriut, organizatë me bazë në Londër.

Siria është në luftë prej vitit 2011, vitin kur Assadi i ka shtypur protestat demokratike.

Prej atëherë konflikti është zgjeruar, me përfshirje të fuqive të huajve dhe të xhihadistëve, dhe për pasojë janë vrarë më shumë se 500.000 njerëz.