OKB paralajmëron se Irani po planifikon të rrisë pasurimin e uraniumit

Centrifugat në centralin bërthamor të Natanz. Fotografi nga arkivi.

Irani planifikon që të instalojë edhe dy pajisje në centrifugat e saj të avancuara, që do t’i lejonin Teheranit të pasurojë me shpejtësi më shumë uranium, tha vëzhguesi bërthamor i Kombeve të Bashkuara.

Vendimi për të vendosur këto pajisje të reja në centrifugat IR-6 në uzinën nëntokësore Natanz vjen pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore më 8 qershor vendosi që të censurojë Iranin. Kjo agjenci tha se Irani ka dështuar që të ofrojë “informacione të besueshme” mbi materialet bërthamore që janë gjetur në tri uzina të padeklaruara bërthamore në Republikën Islamike.

Edhe para se anëtarët e agjencisë së OKB-së të votonin, Irani ndali dy pajisje që përdoren nga OKB-ja për të monitoruar pasurimin e uraniumit në uzinën bërthamore të Natanzit. Zyrtarët iranianë po ashtu kanë kërcënuar se do të ndërmarrin më shumë hapa teksa kriza kërcënon që të zgjerohet edhe më tej.

SHIKONI EDHE: Ringjallje e marrëveshjes bërthamore apo plan të ri për Iranin?

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, deklaroi të enjten se gjatë mbledhjes të mbajtur në Vjenë u tha anëtarëve se Irani po planifikon që të vendosë pajisje të reja në Natanz, përkatësisht do të vendosen pajisje që do të mundësojnë rrotullimin më të shpejt të centrifugave që përdoren për pasurimin e uraniumit.

Centrifugat IR-6 mund të prodhojnë uranium dhjetë herë më shpejtë sesa gjenerata e parë e centrifugave, që ishte kufizuar në marrëveshjen e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.

Sipas marrëveshjes bërthamore, Irani duhet të kufizojë pasurimin e uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Por, më 2018, presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja dhe riktheu sanksionet.

Që atëherë, në Vjenë po mbahen bisedime për ringjalljen e marrëveshjes që synon frenimin e programit bërthamor të Teheranit.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Irani ka pasuruar uranium deri në 60 për qind pastërti, ndërkaq 90 për qind pastërti është niveli për prodhimin e armëve bërthamore.

Irani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore edhe pse ekspertët e OKB-së dhe inteligjenca perëndimore kanë paralajmëruar se Teherani po synon të krijojë armë bërthamore.