Izraeli godet në ajër raketat dhe dronët e nisur prej Iranit

Sistemi izraelit për mbrojtje ajrore, ‘Kupola e Hekurt’ është aktivizuar për të shkatërruar pajisjet e nisura prej Iranit drejt Izraelit. Pamje prej qytetit izraelit Ashkelon.

Një mori dronësh dhe raketash të nisura nga Irani në drejtim të Izraelit, janë goditur prej sistemit izraelit për mbrojtje ajrore, duke ua pamundësuar pajisjeve ndikimin në tokë.

Shpërthime të mëdha dhe shkëndija drite janë parë të dielën mbi qiellin e Jerusalemit rreth orës 02:00 të mëngjesit, sipas orës lokale.

Ushtria izraelite ka thënë se Irani ka nisur më shumë se 200 dronë vetëvrasës, raketa lundruese dhe raketa balistike drejt Izraelit.

Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, ka thënë se sistemi izraelit për mbrojtje ajrore, dhe aleatët në rajon, kanë goditur “shumicën” e raketave dhe dronëve, dhe se dhjetëra prej tyre janë goditur jashtë territorit izraelit.

Ai ka thënë se disa prej raketave që kanë depërtuar në Izrael kanë shkaktuar “dëm të vogël në instalime ushtarake në jug”.

Mediat amerikane dhe ato britanike kanë raportuar se forcat e armatosura të këtyre dy shteteve tashmë i kanë shkatërruar disa dronë dhe raketa në zonën kufitare Irak-Siri, teksa ato kanë qenë në rrugë drejt Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është takuar me këshilltarët për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, pas nisjes së sulmeve.

“Përkushtimi ynë për sigurinë e Izraelit, që kërcënohet prej Iranit dhe rrjetëzimeve të tij, është i hekurt”, ka thënë Biden në një postim në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

Presidenti Biden në takim me zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë.

Njohësit e Lindjes së Mesme e kanë përmendur që kjo është hera e parë që Irani ka nisur sulme kundrejt Izraelit prej tokës së vet, dhe se kjo shënon një praktikë të re.

Liderë botërorë, përfshirë ata prej Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, e kanë dënuar ashpër sulmin iranian dhe kanë shprehur shqetësime për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit.

Irani e quan sulmin “Premtimi i Sinqertë

Ushtria iraniane ka thënë se sulmet janë si shenjë hakmarrjeje për “krimet e përsëritura” të Izraelit, përfshirë sulmin në konsullatën iraniane në Siri më 1 prill.

Në deklaratë është thënë se sulmi është quajtur, “Premtimi i Sinqertë”.

Aty nuk janë dhënë shumë hollësi për natyrën e sulmit, përveç se është konfirmuar që forca ajrore iraniane ka nisur “dhjetëra raketa dhe dronë drejt shënjestrave specifike” në Izrael.

Ky njoftim vjen pas disa ditëve të raportimeve se Irani ka qenë duke e përgatitur një sulm kundër Izraelit, pas sulmit në konsullatë, që ka lënë të vdekur edhe komandantë të lartë iranianë.

Izraeli nuk e ka komentuar asnjëherë këtë sulm, por Teherani e mban përgjegjës.

SHIKONI EDHE: Irani zotohet për hakmarrje, pas sulmit në Damask për të cilin e fajëson Izraelin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se forcat e armatosura të Izraelit janë gati.

“E kam një parim të qartë – kushdo që na lëndon, do ta lëndojmë. Ne do ta mbrojmë veten nga çdo kërcënim dhe do ta bëjmë këtë me qetësi dhe vendosmëri”, ka thënë ai.

“Ne jemi gati për çdo skenar, si në mbrojtje, ashtu edhe në ofensivë. Shteti i Izraelit është i fortë. Forca e Mbrojtjes është e fuqishme. Publiku është i fuqishëm. Ne e vlerësojmë SHBA-në që qëndron afër Izraelit, si dhe mbështetjen e ofruar prej Britanisë, Francës dhe shumë shteteve tjera”.

SHIKONI EDHE: A është e pathyeshme Kupola e Hekurt e Izraelit?

Dronët besohet se janë nisur drejt Izraelit vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Joe Biden, është kthyer në Uashington “për t’u konsultuar me ekipin e sigurisë kombëtare për zhvillimet në Lindje të Mesme”, lidhur me tensionet e larta mes Izraelit dhe Iranit.

Biden ishte planifikuar të kalonte fundjavën në Delauer, mirëpo të shtunën pasdite është kthyer pas një njoftimi të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë.

Biden ka thënë të premten se pret një sulm iranian ndaj Izraelit së shpejti, ndonëse e ka paralajmëruar Teheranin të mos veprojë ashtu.

Më herët gjatë së shtunës, paramilitarët e Gardës Revolucionare të Iranit e kanë konfiskuar një anije të lidhur me Izraelin në Ngushticën e Hormuzit.

Operatori i anijes, grupi italiano-zviceran MSC, ka konfirmuar se autoritetet iraniane kanë fituar qasje në anije përmes helikopterit.

Gjiri i Omanit është afër Ngushticës së Hormuzit, e cila mundëson hyrjen në Gjirin Persik, nëpër të cilin kalon një e pesta e gjithë naftës së tregtuar në botë.

SHIKONI EDHE: Garda Revolucionare e Iranit konfiskon një anije afër Ngushticës së Hormuzit

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar kapjen e anijes që është nën pronësi britanike.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka biseduar të shtunën me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant, për të diskutuar për kërcënimet urgjente rajonale në Lindje të Mesme dhe ka përsëritur mbështetjen e palëkundur amerikane për mbrojtjen izraelite, sipas Pentagonit.

Mbyllen hapësirat ajrore nëpër Lindje të Mesme

Disa qeveri në Lindje të Mesme kanë nisur të marrin vendime pas lajmit për sulme me dronë.

Jordania, Libani dhe Iraku i kanë mbyllur hapësirat ajrore për fluturime, pasi dronët besohet se do të kalojnë nëpër ato hapësira ajrore.

Irani dhe Izraeli, po ashtu, i kanë mbyllur hapësirat ajrore, përveç për aeroplanët ushtarakë.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë qenë të larta disa herë, prej nisjes së luftës Izrael-Hamas, në tetor të vitit të kaluar.

Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të Hamasit në komunitetet izraelite në zonat kufitare më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Izraeli beson se 130 pengje janë ende në Gazë ndërsa të paktën 34 kanë vdekur.

Si pasojë e ofensivës izraelite kundër Hamasit në Gazë – me qëllim të shkatërrimit të grupit – janë vrarë më shumë se 33.600 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.

Irani mbështet Hamasin dhe disa rrjete tjera luftarake në rajon, përfshirë Hezbollahun në Liban, të cilat kryejnë sulme të shpeshta kundër izraelitëve.

Përgatiti: Krenare Cubolli