Izraeli i shqetësuar për programin bërthamor iranian

Kryeministri izraelit Naftali Bennett.

Izraeli është i gatshëm të përdorë “të drejtën për vetëmbrojtje” për të parandaluar Iranin të zhvillojë armët bërthamore, tha kryeministri izraelit Naftali Bennett në një takim me drejtorin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi.

Në një takim në Jerusalem, më 3 qershor, Bennett akuzoi Teheranin se po mashtronte botën për aktivitetet e tij bërthamore.

Ai tha se ishte i shqetësuar për “përparimin e vazhdueshëm të Iranit drejt zhvillimit të armëve bërthamore”, tha zyra e Bennett.

Kryeministri izraelit vuri në dukje nevojën urgjente për të mobilizuar komunitetin ndërkombëtar për të “parandaluar Iranin të ketë armë bërthamore”.

Bennett tha se Izraeli preferon diplomacinë, por ruan të drejtën për vetëmbrojtje dhe veprim në rast se komuniteti ndërkombëtar dështon.

SHIKONI EDHE: Irani kërkon takim të ri për çështje bërthamore “sa më shpejt që është e mundur”

Paralajmërimi i kryeministrit izraelit Bennett vjen në mes të përpjekjeve të ndërprera për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, që synon parandalimin e Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Kjo marrëveshje e rëndësishme hoqi shumicën e sanksioneve në këmbim të frenimit të aktiviteteve bërthamore të Iranit.

Marrëveshja dështoi pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit.

Përpjekjet e administratës së presidentit amerikan Joe Biden për të ringjallur marrëveshjen, filluan në Vjenë, në prill të vitit të kaluar, por që atëherë kanë dështuar.

SHIKONI EDHE: Ringjallje e marrëveshjes bërthamore apo plan të ri për Iranin?

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi njoftoi në prill se vendi i tij do të vazhdojë aktivitetet për zhvillimin bërthamor, për shkak se negociatat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore, kanë ngecur.

Në festimin e ditës shtetërore iraniane të teknologjisë bërthamore, më 9 prill, Raisi tha se administrata iraniane do të mbështesë përshpejtimin e kërkimit mbi teknologjinë bërthamore “paqësore”.

Izraeli ishte një kundërshtar i vendosur i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 dhe mirëpriti tërheqjen e njëanshme të administratës Trump nga marrëveshja.

Besohet se Izraeli është e vetmja fuqi bërthamore në Lindjen e Mesme, por ai vend refuzon të konfirmojë ose mohojë se ka armë bërthamore.