Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, ka paralajmëruar se fushata ajrore e Izraelit në përgjigje të sulmeve të Hezbollahut – grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – në territorin e tij nga jugu i Libanir, “mund të shndërrohet në luftë rajonale”.
Pezeshkian, i cili u zgjodh president në zgjedhjet e korrikut, tha për CNN se Irani e mbështet Hezbollahun sepse grupi “nuk mund t’i përballojë” i vetëm sulmet.
“Rreziku ekziston që këto sulme që po ndodhin në Liban do të përhapen në mbarë rajonin”, tha ai.
Irani që një kohë të gjatë është mbështetësi kryesor i Hezbollahut.
SHIKONI EDHE: Sulmet ajrore izraelite vrasin 558 njerëz në LibanIzraeli të hënën kreu sulmet më vdekjeprurëse në Liban, duke vrarë më shumë se 550 persona. Ndërkaq, të martën, vazhdoi sulmet edhe në Bejrut, duke vrarë të paktën gjashtë persona. Sulmet e 23 shtatorit ishin më vdekjeprurëset që kur Izraeli dhe Hezbollahu zhvilluan një luftë pesëjavore më 2006.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr përditë që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Sulmet ajrore vijnë pas shpërthimeve të koordinuara të pajisjeve të komunikimeve, që përdoren nga Hezbollahu, shpërthime që lanë të vrarë 39 persona javën e kaluar.