Irani dërgon delegacion në Vjenë për bisedime bërthamore

Kryenegociatori iranian për marrëveshjen bërthamore, Ali Bagheri Kani, pas një rundi bisedimesh në Vjenë më 4 gusht 2022.

Një delegacion i Iranit do të vizitojë Vjenën në ditët në vijim, në tentim për të kapërcyer dallimet me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tha ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian.

“Ne do të dërgojmë një delegacion nga Irani në Vjenë në ditët në vijim për të nisur bisedimet me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe ne shpresojmë që të zgjidhim çështjet e mbetura, bazuar në atë që ne jemi pajtuar në ditët e fundit”, tha ai gjatë një konference për media.

Amirabdollahian tha se do të bisedojë me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore që Teherani arriti me fuqitë botërore më 2015.

SHIKONI EDHE: Raisi thotë se dëshiron që marrëveshja bërthamore të ringjallet

Bisedimet indirekte midis Teheranit dhe Uashingtonit për ringjalljen e marrëveshjes gjerësisht kanë ngecur. Zyrtarët kanë thënë se një prej çështjeve kryesore që është shndërruar në pengesë është kërkesa e Iranit që Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore të përfundojë hetimin mbi gjurmët e uraniumit që janë gjetur në ndërtesat e padeklaruara bërthamore.

Më 2018, presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, kishte larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore dhe kishte rivendosur sanksionet ndaj Iranit.

Marrëveshja kishte për qëllim frenimin e programit bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.