Ministri i Jashtëm i Iranit është takuar me udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite më 18 gusht, në vizitën e tij të parë që kur rivalët e Lindjes së Mesme njoftuan për përmirësim të papritur të raporteve, thanë zyrtarët.
Ministri iranian, Hossein Amir-Abdollahian, që udhëtojë për në Riad një ditë më herët, zhvilloi bisedime me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, në Xheda, njoftoi Ministria e Jashtme saudite.
Dy zyrtarët diskutuan për raportet mes shteteve, “për mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen dhe mënyra për t’i zhvilluar ato si dhe diskutuan për zhvillimet sa i përket situatës rajonale dhe ndërkombëtare”, tha ministria saudite përmes një postimi në X, që më herë njihej si Twitter.
Agjencia shtetërore e lajmeve iraniane, IRNA, tha se Hossein Amir-Abdollahian është zyrtari i parë i lartë iranianë që është takuar me Princin saudit të Kurorës.
SHIKONI EDHE: Irani dhe Arabia Saudite rivendosin marrëdhëniet diplomatikeIrani, shtet me shumicë myslimane shiite, dhe Arabia Saudite me shumicë sunite, shkëputën raportet më 2016. Por, dy shtetet rivendosën raportet pas arritjes së një marrëveshjeje në mars, që u ndërmjetësua nga Kina.
Arritja e kësaj marrëveshjeje nxiti optimizëm, pasi këto dy shtete për vite të tëra kishin mbështetur palë të ndryshme në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe në Jemen.
Të enjten, ministri iranian Amir-Abdollahian, tha se “përparimi në raportet tona po shkon në drejtimin e duhur”.
Kryediplomati iranian përmendi bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe atë të sigurisë, por nuk bëri njoftim për ndonjë marrëveshje të re.
Që nga marrëveshja e marsit, Arabia Saudite ka intensifikuar përpjekjet për arritjen e paqes në Jemen, duke mbajtur bisedime të drejtpërdrejta me udhëheqësit e rebelëve Huthi në Sana të Jemenit. Po ashtu, Riadi ka arritur që të rikthejë Sirinë – aleaten e Iranit – në Ligën Arabe.