Irani po pretendon se Uashingtoni është duke “zvarritur” negociatat jodirekte për të ringjallur marrëveshjen bërthamore.
Sipas tij, këmbimi i të burgosurve me Shtetet e Bashkuara nuk është i lidhur me bisedimet bërthamore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, ka thënë në një konferencë për media në Teheran se, shumë pak çështje kanë mbetur për t’u diskutuar, por të gjitha janë shumë të rëndësishme.
“Amerikanët janë duke e zvarritur procesin dhe pala evropiane nuk është duke vepruar… Amerika dhe Evropa kanë nevojë për marrëveshje më shumë sesa Irani”, ka thënë ai.
SHIKONI EDHE: BE-ja pret përgjigje “të shpejta” mbi “draftin final” të marrëveshjes bërthamore me IraninKanaani ka thënë se Iranit i duhet marrëveshje e qëndrueshme që do t’ia ruante të drejtat legjitime.
Irani ka nënshkruar marrëveshjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë, Britaninë, Rusinë dhe Kinën më 2015.
Marrëveshja parasheh që Irani të kufizojë aktivitetin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Më 2018, Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet ndaj Teheranit.
Prej asaj kohe, Irani ka nisur t’i shmanget marrëveshjes dhe të rrisë pasurimin e uraniumit.
SHIKONI EDHE: Irani: Heqja e sanksioneve, kyçe për ringjallje të paktit bërthamorNegociatorët nga Irani, Rusia dhe Bashkimi Evropian – si dhe nga Shtetet e Bashkuara, indirekt – kanë rinisur bisedimet për marrëveshjen me Teheranin më 4 gusht në Vjenë, pas disa muajsh bllokada në negociata.
Irani ka kërkuar garanci që presidentët e ardhshëm amerikanë nuk do të tërhiqen nga marrëveshja, në rast se nis të zbatohet sërish.
Megjithatë, presidenti amerikan, Joe Biden, nuk mund të ofrojë siguri të tillë, sepse marrëveshja është mirëkuptim politik dhe jo traktat i detyrueshëm.
Kanaani ka thënë po ashtu se këmbimi i të burgosurve me Shtetet e Bashkuara nuk është i lidhur me bisedimet bërthamore.
Teherani ka kërkuar tash e një kohë kthimin e një morie iranianësh që mbahen në SHBA, derisa Uashingtoni është duke kërkuar lirimin e personave që kanë shtetësi amerikane dhe iraniane.