Grupi Iran Human Rights (IHR) tha se të paktën 201 persona, përfshirë 23 fëmijë, janë vrarë gjatë protestave mbarëkombëtare në Iran.
Ky grup i të drejtave të njeriut, me seli në Oslo, paralajmëroi se numri i viktimave me gjasë do të rritet, teksa “shtypja e përgjakshme” e protestave po vazhdon.
Protestat në Iran po mbahen pas vdekjes së një 22-vjeçareje, e cila ishte arrestuar nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
IHR tha më 12 tetor se të paktën 108 persona janë vrarë në protestat që kanë hyrë në javën e tretë, qëkur Mahsa Amini vdiq teksa ishte në mbajtje policore. Po ashtu, sipas këtij grupi, të paktën 93 persona të tjerë vdiqën gjatë përleshjeve të ndara në qytetin Zahedan, në juglindje të Iranit, pas raportimeve se një vajzë ishte dhunuar nga një komandant i policisë në provincën Sistan-Baluçistan.
SHIKONI EDHE: Irani: Vdekja e Aminit, rezultat i sëmundjesPjesa më e madhe e 108 vrasjeve ndodhën në Kurdistan, në perëndim të Iranit, ku Amini kishte jetuar, përpara se të vizitonte Teheranin, ku edhe vdiq.
Policia e moralit e Iranit kishte arrestuar Aminin më 13 shtator, nën pretendimet se nuk kishte respektuar rregullat e hixhabit, që obligon gratë të mbulojnë kokën gjatë daljeve në publik. Tri ditë më pas ajo vdiq në një spital, teksa dëshmitarët dhe familjarët thanë se Amini ishte rrahur.
SHIKONI EDHE: Zgjerohen protestat në Iran, ndërsa Raisi bën thirrje për unitet kombëtarZyrtarët kanë mohuar akuzat, duke thënë se Amini ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje. Por, familja e saj ka thënë se Amini ishte në gjendje të mirë shëndetësore para se të arrestohej.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të parandalojë vrasjet e mëtejme në Kurdistan, duke u reaguar menjëherë”, tha drejtori i IHR-së, Mahmood Amiry-Moghaddam.
Protestat janë përhapur në mbarë Iranin, teksa zyrtarët iranianë, përfshirë edhe liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, kanë sugjeruar se elementet e huaja qëndrojnë prapa trazirave.