Irani planifikon gjyq publik për 1.000 protestues në Teheran

Disa persona duke protestuar në Iran. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Autoritetet iraniane kanë thënë të hënën se do të zhvillojnë gjyq publik për 1.000 njerëz në Teheran, pas protestave që janë mbajtur në këtë shtet që disa javë.

Paditë masive shënojnë veprimin e parë të madh qeveritar me qëllim të shtypjes së protestave, të cilat kanë nisur pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini sa ka qenë në mbajtje.

Ajo është ndalur nga Policia për Moral nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, ka cituar zyrtarë të gjyqësorit që kanë thënë se mijëra njerëz - që kanë pasur rol qendror në protesta – do të dalin në gjyq në Teheran për shkak të sulmeve ndaj gardës së sigurisë, për djegie të pronës publike dhe shkelje tjera.

Ndonëse protestat fillimisht janë fokusuar në detyrimin për vendosje të mbulesës në kokë, ato shpejt janë kthyer në një prej sfidave më të mëdha për klerikët fetarë prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

“Ata që synojnë të përballen me regjimin, janë të varur nga të huajt dhe do të ndëshkohen sipas standardeve ligjore”, ka thënë shefi i gjyqësorit, Gholam-Hossein Mohseni Ejei, duke dhënë shenja se disa protestues do të akuzohen për bashkëpunim me qeveritë e huaja.

SHIKONI EDHE: A mund të bëjë Irani kompromis për shaminë?

Zyrtarët në Teheran kanë pretenduar disa herë, pa ofruar dëshmi, se armiqtë e Iranit janë mbrapa protestave.

“Pa asnjë dyshim, gjyqtarët tanë do të përballen me këto raste të trazirave, me saktësi dhe shpejtësi”, ka thënë ai.

Sipas grupeve për të drejta të njeriut, të paktën 270 persona janë vrarë dhe mbi 14.000 janë arrestuar prej shpërthimit të protestave.

Autoritetet e drejtësisë kanë ngritur akuza kundër qindra personave edhe në provinca tjera iraniane.

Disa janë akuzuar për “korrupsion në tokë” dhe “luftë kundër Zotit” – akuza që janë të ndëshkueshme me vdekje.