Human Rights Watch (HRW) ka akuzuar autoritetet e Teheranit për përdorimin e tepërt të forcës, përfshirë atë vdekjeprurëse, kundër pjesëmarrësve në protestat në Iran.
Protestat anti-qeveritare u nxitën nga vdekja e një gruaje të re në kohën sa ishte në paraburgim.
Mahsa Amini vdiq, më 16 shtator, tre ditë pasi u ndalua nga policia e moralit teksa ishte në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e hixhabit, apo shamisë së kokës.
Vdekja e saj ka shkaktuar një valë protestash në të gjithë vendin, pavarësisht paralajmërimeve të Qeverisë për përdorimin e “gjithë forcës në dispozicion” ndaj protestuesve.
Të paktën 154 persona, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë gjatë 18 ditëve të protestave, sipas një grupi të të drejtave të njeriut.
“Autoritetet iraniane kanë shtypur pamëshirshëm protestat e gjera anti-qeveritare, me forcë të tepruar dhe vdekjeprurëse", tha Human Rights Watch.
SHIKONI EDHE: Zgjerohen protestat në Iran, ndërsa Raisi bën thirrje për unitet kombëtarKjo organizatë tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa dhe të sigurohet që përgjegjësit do të përgjigjen për veprat e tyre.
Demonstrues në Gjermani, Greqi, Itali, Spanjë, Liban, Turqi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara u mblodhën në shenjë solidarizimi me protestuesit iranian.