Irani thotë se ka arrestuar mbi 100 persona për helmimet në shkolla

Një nxënëse iraniane e shtrirë në spital.

Irani ka thënë se ka arrestuar më shumë se 100 persona në mbarë vendin për helmimet misterioze të mijëra nxënëseve nëpër shkolla, me akuzën se autorët e dyshuar të paidentifikuar mund të kenë lidhje me grupe "armiqësore".

Incidenti i parë besohet të ketë ndodhur në nëntor, kur 18 nxënëse në qytetin e Qom u dërguan në një spital pasi u ankuan për simptoma si dhimbje koke, kollë, vështirësi në frymëmarrje, rrahje zemre dhe mpirje të duarve dhe këmbëve. Më pas, dyshimet për helmime u shtrinë në më shumë se 200 shkolla në gjithë Iranin – ngjarje kjo që ka ngjallur frikë dhe zemërim tek nxënësit dhe prindërit.

"Më shumë se 100 persona - përgjegjës për incidentet e fundit - u identifikuan, u arrestuan dhe u hetuan", tha Ministria e Arsimit në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA.

“Në mesin e të arrestuarve ka persona me motive armiqësore, me qëllim futjen e terrorit në popull dhe mbylljen e shkollave”, thuhet në deklaratë.

Ministria shtoi se “fatmirësisht që nga mesi i javës së kaluar e deri më sot numri i incidenteve nëpër shkolla është ulur ndjeshëm dhe nuk ka raportime për nxënës të sëmurë”.

Më shumë se 5.000 nxënës në rreth 230 shkolla janë helmuar në 25 nga 31 provincat e Iranit, tha raporti i fundit zyrtar.

Disa politikanë thonë se ato mund të ishin shënjestruar nga grupet fetare që kundërshtojnë arsimimin e vajzave.

Deklarata vuri në dukje lidhjet e mundshme me një grup opozitar iranian në mërgim me bazë në Shqipëri.

“Hetimi i këtyre personave kriminalë, duke përfshirë zbulimin e lidhjes së tyre të mundshme me organizatat terroriste, si MEK dhe të tjera, është në vazhdim”, raporton IRNA.

Një grupi iranianësh u strehuan në kampin e Manzës në Shqipëri, me rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Shahin Gobadi, zëdhënësi i MEK-ut me bazë në Paris, tha se akuzat janë "një shfaqje qesharake për të mbuluar rolin e institucioneve nën komandën e [liderit suprem iranian, Ayatollah Ali] Khameneit në këtë krim të madh" dhe i kërkoi Teheranit që të pranonte një hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje.

"Krimi i helmimit të mijëra nxënësve... nuk është vepër e askujt, përveç e regjimit dhe aparatit të tij" tha ai.

Përgjigja e ngadaltë e autoriteteve ka bërë që disa ta akuzojnë Qeverinë e Iranit për "helmimin" e qëllimshëm të studenteve, të cilët kanë qenë në ballë të protestave të fundit antiqeveritare - kërcënimi më i madh për udhëheqjen islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Irani është tronditur nga trazirat që nga vdekja më 16 shtator e 22-vjeçares, Mahsa Amini, e cila vdiç teksa ishte në paraburgim, e arrestuar nga Policia për veshjen e hixhabit ose shamisë së kokës në mënyrë të pahijshme.

SHIKONI EDHE: "Revolucioni është ende gjallë"

Njerëzit vazhdojnë të dalin në rrugë dhe të protestojë në të gjithë vendin, ku universitetet dhe shkollat janë bërë vende kryesore për përleshje midis protestuesve dhe autoriteteve iraniane.

Forcat e sigurisë kanë nisur gjithashtu një sërë bastisjesh në shkollat në të gjithë vendin, duke arrestuar dhunshëm studentë, veçanërisht vajza, të cilat kanë hequr hixhabet në shenjë proteste.