Një ligjvënës iranian tha se autoritetet po diskutojnë që të vendosin dënime financiare për shkeljen e rregullit për vendosjen e detyruar të hixhabit si një mënyrë për t’u larguar nga burgosja apo ndjekja penale ndaj keqbërësve të perceptuar.
Ky njoftim ndodh në kohën kur ka pakënaqësi në rritje në mesin e iranianëve pas një vale të shtypjes të protestave që u nxitën nga vdekja e Mahsa Aminit, gjatë paraburgimit më 2022.
Amirhossein Bankipour i tha televizionit shtetëror se është arritur konsensus për këtë hap në mesin e trupave kyçë qeveritarë dhe të sigurisë.
Bakinpour tha se kjo lëvizje vjen pas vlerësimeve që gjetën se patrullimet e “policia e moralit” dhe ndëshkimet penale nuk kanë qenë efektive dhe kanë nxitur protesta. Organet qeverisëse, përfshirë Këshillin Suprem të Revolucionit Kulturor dhe Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, gjetën se gjobat ishin mjet më pak konfrontues për të zbatuar kodin e veshjes, tha ai.
SHIKONI EDHE:
Irani dënon raportin e OKB-së për protestat e vitit 2022Zyrtarët rajonalë iranianë miratojnë kod të rreptë të veshjes për nëpunëset civileBankipour muajin e kaluar la të kuptohet se në të ardhmen do të prezantohet një projektligj i ri për hixhabin, që do të gjobiste shkelësit me 30 milionë rialë iranianë (50 dollarë). Ai tha se gjobat do të merreshin drejtpërdrejtë nga llogaritë bankare të shkelësve, si dhe do të kishte gjoba shtesë për përsëritjen e shkeljeve.
Megjithatë, një zëdhënës i policisë tha se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar për gjobat.
Legjislacioni parasheh fuqizimin e tri agjencive të inteligjencës – Ministrisë së Inteligjencës, Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare dhe Organizatës së Inteligjencës së Gjyqësorit – së bashku me policinë dhe forcat paramilitare Basij, për të vepruar kundër grave që shkelin rregullat.
Hixhabi u bë i detyrueshëm për gratë dhe vajzat mbi moshën 9 vjeçe më 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik. Përgjatë viteve, shumë gra kanë shmangur rregullin e veshjes së hixhabit.
Vdekja e Aminit në shtator të vitit 2022, pas arrestimit të saj nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e hixhabit, nxiti një valë protestash që paraqiti një prej sfidave më të mëdha për regjimin islamik që nga revolucioni i vitit 1979.