Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) thotë se protestave anti-qeveri, për të cilat fajësohen nxitësit e jashtëm, u është shkaktuar “disfatë”.
Në kumtesën e së dielës, kjo gardë tha se “populli revolucionar i Iranit së bashku me dhjetëra mijëra forca ushtarake, policia dhe Ministria e inteligjencës, e kanë thyer zinxhirin e trazirave të krijuara... nga Shtetet e Bashkuara, Britania”, Arabia Saudite, militantët dhe monarkistët.
Ky njoftim është publikuar pasi Parlamenti i Iranit e ka mbajtur një seancë të mbyllur për diskutimin e protestave anti-qeveri, që e kanë përfshirë këtë vend për më tepër se një javë.
Seanca parlamentare është thirrur nga grupi reformist i ligjvënësve, të cilët u kanë bërë pyetje zyrtarëve të sigurisë dhe të inteligjencës për shkaqet e revoltës, për të cilën Qeveria iraniane, po ashtu, i ka fajësuar të jashtmit.
Faqja në Internet e Parlamentit të Iranit ka raportuar se ligjvënësit u kanë bërë pyetje ministrit të Brendshëm, Abdolrahmani Fazli, ministrit të inteligjencës, Mahmoud Alavi, dhe zyrtarit të lartë të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ali Shamkhani.
Disa ligjvënës kanë shprehur shqetësim për kontrollin e internetit, që ishte zbatuar në mes të trazirave, përfshirë ndalesën e aplikacionit më të popullarizuar në Iran, Telegram, për të cilin zyrtarët iranianë kanë thënë se ishte shfrytëzuar për nxitjen e dhunës.
“Parlamenti nuk është në favor të mbajtjes së filtrimit të Telegramit, por duhet të përkushtohet se nuk do të përdoret si mjet nga armiqtë e popullit iranian”, tha zëdhënësi parlamentar, Behrouz Nemati.
Pothuajse, një e treta e popullatës 80 milionëshe në Iran, e shfrytëzon aplikacionin Telegram si burim kryesor të lajmeve dhe si mënyrë për t’i anashkaluar mediet shtetërore, që në shkallë të lartë janë të kufizuara.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shprehur mbështetje për protestuesit, por i kanë hedhur poshtë akuzat për nxitjen e tyre.
Mediet shtetërore iraniane të dielën kanë transmetuar pamje direkte të ditës së pestë të tubimeve në mbështetje të Qeverisë, që janë organizuar nga autoritetet.
Mediet shtetërore nuk raportojnë për protestat anti-qeveri.
Por, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, ka marrë raporte të besueshme se protestat kanë vazhduar të shtunës në së paku nëntë qytete në Iran, përfshirë kryeqytetin Teheran, ku pamjet në mediet sociale tregojnë tubime, me gjithë praninë e madhe të forcave policore.
Radio Farda që vepron në kuadër të Radios Evropa e Lirë, ka marrë raporte të besueshme nga burimet në Iran, për demonstratat gjatë natës, kundër sundimit të klerikëve në këtë vend, në qytetet Takestan, Arak, Masjed Soleiman, Mashhad, Qazvin, Rasht, Lahijan dhe Khomein, që është qyteti i lindjes së Ajatollah Ruhollah Khomeini, themelues i Republikës Islamike të Iranit.
Në protesta, në më tepër se një javë, janë vrarë 22 vetë dhe janë arrestuar më se 1,700 persona.
Zyrtarë të ndryshëm iranianë kanë thënë se qindra të burgosur, përfshirë shumë studentë dhe të rinj, janë liruar, pasi disa prej tyre janë pajtuar për të nënshkruar deklaratën për të mos bërë “shkelje të re”, ka raportuar agjencia gjysmëzyrtare iraniane, ISNA.
e kundërshtuar pretendimin e Qeverisë së Iranit se demonstratat e gjera ishin organizuar ose nxitur nga të jashtmit, një grup prej 16 personaliteteve të njohura reformiste në Iran, e ka publikuar një deklaratë, ku theksohet se “përkundër faktit se armiqtë e vendit gjithmonë përpiqen të krijojnë avantazh nga zhvillimet e tilla, ne duhet ta dimë se çfarëdo ndërhyrjeje e të jashtmëve nuk do të ishte e mundshme pa ekzistimin e kushteve të brendshme”.
Ata, po ashtu, thanë se pretendimi i qeverisë për përzierje të jashtme është “ofendim” për iranianët dhe çon kah “neglizhenca ndaj shkaqeve reale të protestave”.
Në këtë letër të reformistëve, po ashtu, kritikohet “ndërhyrja amerikane”, e veçanërisht presidenti, Donald Trump, për përzierje “në punët e brendshme të Iranit”.
Shumica e personave që e kanë nënshkruar këtë letër janë ish-zyrtarë ose anëtarë të dikurshëm të parlamentit, nga periudha 1997-2005, kur president ishte, Mohammad Khatami.
Emigrantët nga Irani, po ashtu, kanë organizuar shumë protesta para ambasadave iraniane në gjithë botën gjatë fundjavës, përfshirë qytetet Hagë, Berlin, Hamburg, Stokholm, Londër dhe Paris.