Irani ka varur një burrë në publik më 12 dhjetor. I ekzekutuari ishte dënuar për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë.
Ky është ekzekutimi i dytë që lidhet me protestat anti-qeveritare, i kryer në më pak se një javë.
Ekzekutimi i Majidreza Rahnavard, që u raportua nga agjencia Mizan, vjen pasi gjykata revolucionare në Mashahd e dënoi atë për “luftë kundër Zotit”, një akuzë e dënueshme me vdekje. Ai pretendohej se kishte vrarë me thikë dy anëtarë të milicisë famëkeqe paramilitare Basij, gjatë protestave në nëntor.
Gjykatat revolucionare të Iranit janë kritikuar nga ndërkombëtarët për shkak se nuk u lejojnë të pandehurve të zgjedhin avokatët apo të kenë qasje në provat që gjykatat kanë kundër tyre.
Mashhad, një qytet i shenjtë shiit, gjendet 740 kilometra në lindje të kryeqytetit iranian, Teheran. Aktivistët kanë thënë se në këtë qytet ka pasur greva, dyqanet janë mbyllur dhe ka pasur protesta të nxitura pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.
Më 8 dhjetor, Irani kreu ekzekutimin e parë, duke varur protestuesin Moshen Shekari, pasi Gjykata Supreme e Iranit hodhi poshtë apelin e tij.
SHIKONI EDHE: Irani kryen ekzekutimin e parë për protestat anti-qeveritareShekari ishte akuzuar për veprën “luftë”, përkatësisht dyshohej se kishte plagosur një zyrtar të sigurisë.
Aktivistët kanë paralajmëruar se të paktën dhjetëra persona veçse janë dënuar me dënime me vdekje në seanca të mbyllura gjyqësore.
Mijëra iranianë kanë protestuar në mbarë vendin që kur Amini vdiq në shtator teksa ishte në paraburgim. Ajo po akuzohej nga autoritetet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
Qeveria iraniane nisi shtypjen brutale, dhe shpesh vdekjeprurëse, të protestave. Ndërkaq, ligjvënësit kanë kërkuar dënime të ashpra për demonstruesit.
Protestat aktuale në Iran janë shndërruar në sfidën më të madhe për udhëheqjen e vendit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
SHIKONI EDHE: Dhjetëra protestues në Iran presin ekzekutiminAgjencia e lajmeve HRANA, ka thënë se deri më 29 nëntor të paktën 459 protestues janë vrarë gjatë trazirave, përfshirë edhe 64 persona nën moshën madhore.
Iran Human Rights, organizatë me bazë në Oslo, ka thënë se numri i ekzekutimeve në Iran gjatë këtij viti ka tejkaluar shifrën prej 500 qind.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar Teheranin kundër shqiptimit të dënimeve me vdekje për protestuesit, pas proceseve të përshpejtuara gjyqësore, që disa i kanë cilësuar si drejtësi “të rremë”.