Korporata Energjetike e Kosovës dhe kompania amerikane, General Electric, kanë nënshkruar të premten marrëveshjen për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B.
Investimi që do të bëhet në modernizimin e termocentralit Kosova B, kap vlerën e rreth 50 milionë eurove.
Avulli përmes presionit, bën qe turbina të vihet në lëvizje e cila gjatë rrotullimit e fut në funksion gjeneratorin që të prodhojë rrymë.
Modernizimi i turbinave përfshin komplet rekonstruktimin e turbinës së presionit të lartë dhe turbinës së presionit të ulët.
Rekonstruktimi i këtyre turbinave pritet të rrisë kapacitetet prodhuese me energji elektrike.
Prodhimi i kapaciteteve të energjisë elektrike pritet të rritet për 30-35 megavat energji në orë.
Aktualisht, termocentralet Kosova A dhe Kosova B në Obiliq prodhojnë 500 deri në 800 megavat energji elektrike në orë, ndërsa kërkesat janë për mbi 1.100 megavat në orë.
Projekti për modernizmin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B, veçse ka filluar.
Ky është vetëm njëri nga projektet për modernizmin e termocentralit Kosova B, kanë bërë të ditur zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovë.
“Të gjitha projektet për rivitalizimin e termocentralit Kosova B pritet të përfundojnë deri në vitin 2026”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KEK-ut”, Skënder Bucolli.
Modernizimi që do t’u bëhet turbinave me avull do të mundësojë që termocentrali Kosova B të jetë në funksion edhe për dy dekadat e ardhshme, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Me rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, ai tha se Kosova po redukton varësinë nga importi i energjisë.
Kosova në vitin 2021 ka importuar 1.311.461 megavat rrymë.
Termocentrali Kosova B përbëhet nga dy njësi gjeneruese të njohura si njësia B1 dhe B2.
Njësia B1 e këtij termocentrali është lëshuar në punë në vitin 1983, ndërsa B2 një vit pas.
Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.
Në Kosovë, rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli.
Gjatë vitit 2022 janë prodhuar rreth 6.35 milionë megavat energji elektrike në termocentralet e KEK-ut.
Metoda e prodhimit të energjisë elektrike nga thëngjilli konsiderohet e dëmshme për mjedisin si dhe shkakton ndotje të lartë të ajrit.
Vitet e fundit, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, e po ashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata thëngjill dhe, si e tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij burimi.
Basenet më të rëndësishme thëngjillmbajtëse njihen si Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.
Sasia më e madhe e këtij produkti shfrytëzohet nga termocentralet e KEK-ut për prodhimin e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të KEK-ut, nga viti 1922, kur ka filluar nxjerrja e thëngjillit, deri në dhjetor të vitit 2015, nga Baseni i Kosovës janë nxjerrë gjithsej 339 milionë tonelata thëngjill.
Për prodhim të energjisë elektrike, KEK–u shfrytëzon mesatarisht 8 milionë ton thëngjill në vit.