Nga një emigrant në investitor milionash  

Ukë Blakaj.

Your browser doesn’t support HTML5

Qytetari nga diaspora hap fabrikë në Kosovë

Ukë Blakaj nga Komuna e Istogut ishte vetëm 19-vjeçar, kur së bashku me familjen e tij, migroi në Gjermani. Sot ai është duke investuar miliona euro në hapjen e një fabrike. Ai thotë se rruga deri te ky sukses, nuk ka qenë e lehtë.

Nga viti 1996, familja e tij gjatë kishte bërë lëvizje të shpeshta Kosovë-Gjermani, derisa në vitin 2008 familja Blakaj, mori dokumentacion të rregullt në shtetin gjerman dhe u vendos aty përgjithmonë.

Ukë Blakaj në fillim të vitit 2010 filloi afarizmin e tij në shtetin e Gjermanisë, ku krijoi kompaninë Wolf GmbH, e cila merret me shërbime ndërtimore dhe në fokus ka prodhimin e shtëpive të parafabrikuara.

Rrugëtimi i tij si një emigrant nga Kosova në Gjermani, thotë se nuk ishte aspak i lehtë.

“Krijimi i një biznesi ishte shumë i vështirë, ka të bëjë me gjuhën, me mentalitetin, me disiplinën e punës. E lehtë nuk është, por me kohën jemi përshtatur edhe kushteve, edhe rregullave ligjore, dhe rregullave tjera dhe kemi arritur një sukses deri këtu ku jemi”, thotë Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Nis ringjallja e bizneseve  

Kompania Wolf GMNH në Gjermani aktualisht numëron mbi 120 punëtorë. Kryesisht, tregon Blakaj, punëtorët janë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por ka edhe gjermanë dhe të nacionaliteteve të tjera.

Kur kompania e tij në Gjermani po zhvillohej dhe afarizmi i saj po tregohej i suksesshëm në tregun e Gjermanisë, Blakaj filloi të mendonte për investime në Kosovë.

Fillimisht, ai hapi një lokal në fushën e gastronomisë në vendin e tij të lindjes, në Istog, për t’u zgjeruar më pas në ndërtimin e një fabrike të ngjashme me atë që tani ka në Gjermani.

Produktet “Made in Kosova” në Gjermani

Në vitin 2020, tregon Blakaj, nisi ndërtimi i fabrikës në Istog dhe me prodhimi do të nisë në shtator të këtij viti.

Produktet e prodhuara në Kosovë do të eksportohen në Gjermani, pasi, siç thotë Blakaj, tregu i Kosovës është i vogël, derisa kapacitetet prodhuese të fabrikës së tij pritet të jenë të larta.

Blakaj thotë se ka arritur të nënshkruajë kontratë me një kompani në Gjermani për shitjen e produkteve që prodhohen në Kosovë.

“Po të kisha investuar me këtë fabrikë në Gjermani, do ta kisha pasur më të lehtë dhe do të kisha pasur mundësi më të mëdha. Angazhime do të kisha pasur më pak, pasi që jetoj atje. Në Kosovë ka shumë procedura, por dëshira për të bërë më shumë për familjen dhe vendin tonë do të vazhdojë dhe kjo nuk do të ndalet. Kemi vështirësi dhe do të ketë vështirësi. Këtu në Kosovë flitet për ndryshime, por ndryshimet vijnë ngadalë”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: Çfarë e tërhoqi investitorin holandez të investonte në Kosovë?

Investimi milionësh për ndërtimin e kësaj fabrike, sipas Blakajt, nuk është përkrahur nga institucionet qendrore. Të vetmen përkrahje që ai ka pasur ka qenë nga Komuna e Istogut, që ia ka lëshuar me qira tokën ku po ndërtohet fabrika.

“Qëllimi ynë është që të mos ndalemi vetëm me këtë fabrikë. Kjo është e rëndësishme, jo vetëm që të punësojmë punëtorë, por edhe bizneset e vogla apo bizneset familjare, që në Kosovë punojnë me mobile, punojnë kuzhina, dyer e të tjera, është mundësia që t’i organizojmë të gjitha këto produkte, t’i marrim nga Kosova dhe t’i shesim në Gjermani. Nëse ne arrijmë të shesim një shtëpi, atëherë ne, çdoherë do të shkojmë nga kjo që edhe gjërat e tjera përcjellëse që nevojiten, të jenë produkte nga Kosova”, thotë Blakaj.

SHIKONI EDHE: Diaspora mban "gjallë" ekonominë

“Të punësojmë të rinjtë që të mos të ikin nga Kosova”

Investimi në shkollim që bëjnë familjet, por edhe shteti, për të rinjtë në Kosovë, sipas Blakaj është humbje kur këta të rinjtë ikin nga Kosova.

Ai thotë se synimi i tij është të punësojë të rinjtë, në mënyrë që ata të mos largohen nga Kosova.

SHIKONI EDHE: Fundi i pandemisë mund të sjellë fluks të emigrimit 

Blakaj shton se fuqia punëtore në Kosovë, pavarësisht se është më e lirë se në Gjermani, megjithatë nuk e ka përgatitjen e duhur dhe sipas tij, duhet që kompania t’i trajnojë për ta kryer një punë të caktuar.

Diaspora e Kosovës me ndikim të madh në ekonomi

Përgjatë viteve, mjetet e dërguara në Kosovë nga qytetarët e saj që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botë, në vit kanë qenë në mbi gjysmë miliard euro.

Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca.

Këto mjete paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që nëpërmjet krijimit të instrumenteve për investim, kapitali i diasporës të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune.