Biznesmenët në Maqedoninë e Veriut thonë se janë shqetësuese të dhënat e muajit janar të këtij viti, ku thuhet se janë realizuar vetëm një për qind e investimeve kapitale, që janë projektuar në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë, autoritet qeveritare të Maqedonisë së Veriut thonë se starti i keq në fillimin të këtij viti nuk i ka dekurajuar, madje përkundrazi, janë të bindur se ky vit do të shënojë kthesën më të madhe të realizmit të investimeve kapitale.
Sipas të dhënave të dikasterit të financave në Maqedoninë e Veriut, realizimi i investimeve kapitale në janar të këtij viti mezi ka arritur një për qind, përkatësisht vetëm 4.5 milionë euro janë investime kapitale, prej 420 milionë eurove të planifikuar për vitin 2019.
SHIKONI EDHE: Maqedoni: Buxheti i vitit 2019-të i fokusuar në skema socialeDrejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Drilon Iseni për Radion Evropa e Lirë shprehet se problematike sipas tij janë ligjet jofunksionale, në fushën e ndërtimtarisë.
“Mungesa e ligjeve cilësore, siç është Ligji për ndërtim dhe Ligji për planifikim hapësinor,si dhe abrogimi i planeve urbanistike, kanë ndikuar negativisht edhe në rritjen ekonomike në përgjithësi, në këtë drejtim nuk janë ndërmarrë hapa konkret për të eliminuar pengesat”, thotë Iseni.
Por nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut janë arsyetuar se temperaturat e ulëta gjatë janarit kanë bllokuar realizmi e projekteve në sektorin e ndërtimtarisë, realizmi i të cilave, siç thonë ata, pritet të marrë hov gjatë këtij muaji.
"Jam i bindur se në përputhje me fillimin e sezonit të ndërtimit, ku duhet të fillohet me 40 rekonstruksione të rrugëve, bëhet fjalë për 10-15 ditë, do të këtë vit ekonomik dhe investimet kapitale do të jenë më të mëdha sesa vitin e kaluar”, deklaroi Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Por, biznesmenët thonë se realizmi i ulët i investimeve kapitale duhet të paraqes një kambanë alarmi për Qeverinë, që mos të përsëritet situata e vitit të kaluar, kur realizmi i investimeve kapitale, mezi arriti vlerën prej 67 për qind nga projeksionet e planifikuara.
“Mendoj se pushteti duhet ta marrë mësim nga zhvillimet gjatë vitit të kaluar”,ka theksuar Branko Azevski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.
SHIKONI EDHE: Miliardat në infrastrukturë, premtime reale apo fushatë zgjedhore?Në këtë drejtim, Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore konsideron se zgjedhjet presidenciale në masë të caktuar do ta mbajnë në ngërç realizmin e investimeve kapitale.
Ai në këtë drejtim thekson edhe problemin me taktizimin dhe kurdisjen e tenderëve, që në masë të theksuar, sipas tij, bllokon realizimin e projekteve.
“Shpresojmë se pas kësaj, Qeveria do të jetë më efikase në zbatimin e projekteve që kanë të bëjnë me investimet kapitale, veçanërisht e rëndësishme është që faktori njeri të eliminohet në proceduarat e ndarjes së tenderëve për realizimin e projekteve”, thotë Iseni.
Gjatë vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut shënoi shkallën më të ulët të realizimit të investimeve kapitale, duke përmbushur vetëm 67 për qind të projekteve, përkatësisht gjatë vitit 2018 ishin paraparë 390 milionë euro investime kapitale, të cilat u shkurtuan me rebalancimin e buxhetit në 300 milionë, por u arrit të realizohen më kap se 200 milionë euro investime kapitale.
SHIKONI EDHE: Politika ngufat zhvillimin ekonomik të MaqedonisëSi problematike, autoritetet qeveritare për dështimin e një pjese të madhe të realizmit të investimeve kapitale, theksuan gabimet e shumta teknike të dokumentacionit të ndërtimit, që rrënjët i ka te keqmenaxhimi i pushtetit të kaluar.
Por, nga VMRO-DPMNE janë kundërpërgjigjur se pushteti aktual po dëshmon se nuk ka kapacitet të realizojë investime kapitale.