Rreth 500 milionë euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, vitin e kaluar janë investuar në tregun e Kosovës, thonë zyrtarë të këtij institucioni. Paratë e këtij fondi, sipas udhëheqësve të këtij institucioni, do të investohen në tregun vendor, por prioritet, sipas tyre, mbetet interesi i kontributpaguesve.
Rreth 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të mbi 660 mijë kontributpaguesve në Kosovë, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale. Nga kjo vlerë, 75 për qind e mjeteve mbahen më tregjet financiare ndërkombëtare, kurse 25 për qind në Kosovë.
Kryesuesi i Bordit Drejtues të këtij institucioni, Ruzhdi Morina, tha se Bordi mirëpret çdo mundësi për investime në Kosovë.
“Derisa në vitin 2018, rreth 20 për qind ose 328 milionë euro ishin të investuara në Kosovë, në vitin 2019, rreth 25 për qind ose rreth 500 milionë euro janë investuar në vend. Bordi mirëpret çdo mundësi për investime në vend, por gjithnjë duke pasur për bazë vetëm interesin e kontribuuesve”, tha Morina.
Instrumentet financiare më të leverdishme ku Trusti mund të investojë në Kosovë janë letrat më vlerë të Qeverisë se Kosovës dhe depozitat bankare, thotë drejtori i menaxhmentit të Trustit Pensional të Kosovës, Ardian Zalli.
“Në këtë rast këto dy instrumente ofrojnë norma të ulëta të kthimit. Kështu që ne patjetër detyrohemi të investojmë në tregjet ndërkombëtare dhe shpresojmë që në të ardhmen do të ketë mundësi tjera financiare ku do të gjenerojë norma më të larta të kthimit të interesit. Për shkak se Trusti është i thirrur të punojë dhe investojë në interes të kontribuuesve dhe duhet shikuar se ku janë normat më të larta aty duhet të orientohet investimi”, tha Zalli.
SHIKONI EDHE: Miliardat e Kosovës në tregjet botërorePërqindja më e madhe e këtyre mjeteve janë të investuara në tregjet e Gjermanisë, Japonisë, Anglisë, Francës dhe në tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Riatdhesimi i mjeteve të Trustit që mbahen në tregjet financiare ndërkombëtare në tregun e Kosovës, vazhdimisht ka qenë kërkesë dhe temë debati nga njohës të çështjeve ekonomike. Ata disa herë kanë deklaruar se është paradoks fakti që Kosova vazhdimisht kërkon donacione, investime të huaja dhe merr kredi ndërkombëtare, kurse paratë, siç është rasti me Fondin Pensional, mbahen në tregjet e huaja.
Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thotë se nevojitet të ndryshohet ligji aktual dhe njëherësh të krijohet një siguri për këto mjete.
“Marrë parasysh kredibilitetin që institucionet e Kosovës e kanë aktualisht, mendoj se nuk ka një frymë dhe klimë që këto mjete mund të investohen në Kosovë për arsye se më një shkallë kaq të lartë të rrezikut, ekziston mundësia që këto mjete të humbin dhe do humbin kursimet e pensionistëve kosovarë të cilët kanë kursyet gjatë punës se tyre”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Sa janë të sigurta kursimet pensionale në Kosovë?Sipas Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, mjetet pensionale mund të investohen në llogaritë bankare dhe depozitat e bankave të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës, letra me vlerë të ndërmarrjeve, duke përfshirë veçmas stoqet dhe obligacionet dhe fondet e përbashkëta dhe të investimeve varësisht nga miratimi i rregullatorit në Kosovë.
Në konferencën vjetore për media që Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka mbajtur të martën, është thënë se gjatë vitit 2019 mjetet nën menaxhim të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës arritën rritjen më të lartë, me fond total rreth 2 miliardë euro, që është një rritje vjetore prej 300 milionë euro. Gjatë vitit të kaluar, sipas anëtarëve të Bordit, ky Fond ka arritur performancë pozitive nga investimet prej 8.9 për qind. Rreth 161 milionë euro është vlera e kthimit nga investimet.
Në vitin 2018, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka shënuar rënie të performacës prej 5.2 për qind, çka ka ndikuar që humbjet të shkojnë deri në 84.7 milionë euro. Bilanci negativ gjatë vitit 2018 ka prekur të gjitha llogaritë e kontributpaguesve.