Specialistët e Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ukrainës ka kryer një “sulm kibernetik në shkallë të gjerë” ndaj burimeve të partisë në pushtet në Rusi, Rusia e Bashkuar, tha një burim nga ky shërbim special për Radion Evropa e Lirë më 26 prill.
Sipas të dhënave të këtij shërbimi, shërbimet e partisë dhe ueb-faqet, por edhe domenet ER.RU dhe Edinros, aktualisht janë nën sulm.
Sipas burimit, inteligjenca ukrainase pretendon se pavarësisht deklaratës së lëshuar nga Rusia e Bashkuar se “puna e infrastrukturës kritike digjitale po funksionon”, disa nga burimet kanë dalë jashtë funksionit.
Mëngjesin e 26 prillit, partia në pushtet e Rusisë tha se është goditur nga një sulm i madh kibernetik.
Në mars të këtij viti, Inteligjenca ushtarake ukrainase, e njohur me shkurtesën GUR, tha se shërbimet e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë u përballën me një sulm kibernetik dhe se ekspertët e inteligjencës ukrainase patën qasje në informacione sekrete të kësaj ministrie.
Njoftimi për sulmin e pretenduar vjen teksa pushtimi i paprovokuar i Ukrainës, që nisi Rusia më 2022, po vazhdon.