Inteligjenca gjermane: Kina mund të bëhet kundërshtarja kyçe në të ardhmen

Flamuri gjerman.

Agjencia gjermane e inteligjencës ka thënë se në të ardhmen, Kina mund t’i shkaktojë më shumë probleme Gjermanisë sesa Rusia, sidomos sa u përket sulmeve kibernetike.

Në një intervistë për radion SWR, Thomas Haldenwang, presidenti i agjencisë së njohur si Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, ka thënë se “në periudhë afatgjatë, Kina dëshiron të bëhet fuqi lidere në aspekte të ndryshme”, “jo vetëm në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë, por edhe atë politike”.

“Në periudhë afatgjatë, Kina mund të bëhet kundërshtarja kryesore”, ka deklaruar ai.

SHIKONI EDHE: Eksperti amerikan për kibernetikë: Kina do të dominojë inteligjencën artificiale

Kur është pyetur si është duke u përgatitur agjencia që ai udhëheq për një kërcënim të mundshëm, Haldenwang se “kudo ku ka zjarr, aty shkon brigada e zjarrit”.

Në mënyrë që të luftojë me sukses hakerët e rinj, agjencia ka rekrutuar së fundi të rinj që nuk kanë profilin e punëtorëve të zakonshëm.

Ata janë të rinj “që konsumojnë disa litra cola dhe që nuk punojnë sipas orareve të zyrave”.

Kur është pyetur sesi arrin agjencia të rekrutojë stafin, pavarësisht mungesës universale të specialistëve të teknologjisë informative, ai ka thënë se në agjencinë që udhëheq ai, njerëzit kanë mundësi që të mbrojnë demokracinë.

Sipas tij, disa detyra janë më interesante sesa biznesi pasi puna përfshin garë me hakerët rusë dhe ata kinezë.