Transparenca aktive e ministrive, qeverisë dhe komunave në vitin 2021, është 63 për qind dhe është përmirësuar me pesë pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar, sipas renditjes vjetore të institucioneve në Indeksin e transparencës aktive, të përgatitur nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Nga kjo qendër, thonë se stagnon transparenca e institucioneve kur bëhet fjalë për shpenzimin e mjeteve financiare.
Ekspertët e kësaj fushe, thonë se përderisa nuk kërkohet përgjegjësi, drejtuesit e institucioneve do të fshehin informacionet se si i harxhojnë paratë nga arka e shtetit.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e V.: Qeveria të heqë dorë nga investimet joproduktiveInstitucionet në Maqedoninë e Veriut, kanë rritur transparencën aktive, gjegjësisht transparencën për sa i përket realizimit të aktiviteteve brenda institucioneve, por jo edhe transparencën kur bëhet fjalë për shpenzimin e mjeteve nga arka e shtetit, theksohet në hulumtimin e realizuar nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Në bazë të këtij hulumtimi, që bazohet në informatat e publikuara në ueb faqet e institucioneve të ndryshme të shtetit, transparenca është cilësuar si “mesatarisht” aktive.
Ministritë dhe Qeveria, publikojnë mesatarisht 79 për qind të informacionit të kërkuar, që është rritje minimale krahasuar me 77 për qind vitin e kaluar, ndërsa në komuna për të pestin vit me radhë, ka më pak transparencë sesa ministritë. Komunat publikojnë 60 për qind të informacionit të kërkuar, që është 5.5 për qind më shumë pikë se vitin e kaluar.
Sipas indeksit të lartpërmendur, transparenca aktive e të gjitha 98 institucioneve të përfshira (ministritë, qeveria dhe komunat), është 63 për qind (nga maksimum 100 për qind të mundura) kështu që gradimi cilësohet si transparencë “mesatarisht” aktive.
Me ligj, të gjitha ministritë janë të obliguara të bëjnë publike buxhetin me të cilin disponojnë gjatë vitit rrjedhës, llogarinë përfundimtare për vitin paraprak, më pas planin për furnizime publike, raportet e revizorëve, njoftimet për marrëveshje për furnizime publike etj.
SHIKONI EDHE: Koronavirusi ka zbrazur arkat e komunave në Maqedoninë e Veriut“Ku qëndron problemi? Pse disa ministri dhe institucione ‘harrojnë’ t’i bëjnë këto të dhëna publike. Thjesht, pasi për këtë gjë nuk kërkohet përgjegjësi nga drejtuesit e institucioneve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, German Fillov drejtor i Qendrës për Komunikime Qytetare.
Përderisa Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, thotë se institucionet japin informata të cunguara ose nuk japin fare, në momentet që kanë për të fshehur diçka kur mjetet e arkës së shtetit shpenzohen jo për qëllimin për çka ato realisht janë të destinuara.
“Si zakonisht, tek ne politika vepron çdo kund në organet ligj zbatuese. Që do të thotë, siç i themi ne, “shpinën e fortë’, në pushtetin ekzekutiv ata (institucionet ndjekëse) thjeshtë bëjnë malverzime, pasi si zakonisht, subjektet që kanë bërë harxhime të mjeteve jashtë normave dhe jashtë standardeve të përcaktuara me ligj, ata i fshehin të dhënat sepse i mbrojnë padronët et yre në pushtetin ekzekutiv”, thotë Musa.
SHIKONI EDHE: Rritet mbikëqyrja e shpenzimeve të partive politike gjatë fushatësNë bazë të ligjit, komunat në ueb faqet e tyre duhet të japin të dhëna për planin e detajuar urbanistik, për planin për ambientin jetësor, për zhvillimin ekonomik lokal, për veprimet e ndryshme komunale, të dhënat për zhvillimin e kulturës e sportit, mbrojtjen sociale, tatimin mbi pronën, institucionet e ndryshme që janë nën kompetencën e tyre etj., por këto të dhëna nuk janë të tërësishme, thotë German Fillkov, nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Qendra për Komunikime Qytetare informon se komunat iu përgjigjën kërkesave për qasje falas në informacion, gjatë afatesh kohore mesatarisht prej 17 ditësh, ndërsa ministritë u janë përgjigjur në mesatarisht për 16 ditës, kurse 39 për qind e institucioneve u përgjigjën më vonë se afati i paraparë me ligj.
Bojan Kordallov, ekspert për çështje të komunikimit, thotë se nuk mund të flitet për më shumë ose më pak transparencë të institucioneve, por thjesht për atë se “institucionet janë ose nuk janë fare transparente”.
“Në kohen e digjitalizimit, institucionet duhet të jenë transparente. Nuk ka asnjë arsyetim por mosdhënien në kohë të informative të kërkuara, e aq më pak të ketë hapësirë për arsyetime, për pritjet që të merret ndonjë informacion nga lista e informatave që janë me karakter publik”, thotë Kordallov.
Indeksi i transparencës aktive (www.aktivnatransparentnost.mk), që ka për qëllim rritjen e transparencës së institucioneve, si projekt mbështetet nga USAID-i, në kuadër të aktivitetit “Shpenzimet publike për të mira publike”.