Kosova në bisedime me MCC-në për ndërtimin e gazsjellësit

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit - (në fotografi: termocentralet në Obiliq)

Kosova po shqyrton mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës së gazit dhe të një termocentrali, tha të premten ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Rizvanolli tha se për këtë temë, deri më tash, janë zhvilluar pesë takime të nivelit politik me ekspertët e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) dhe shumë punëtori të tjera.

Sipas Rizvanollit, MCC-ja veç e ka bërë një studim para-fizibiliteti dhe po realizon studimin e fizibilitetit.

Ajo tha se MCC-ja ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë që do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture.

“Duhet sqaruar një gjë, kur po flasim për ndërtimin e infrastrukturës, ne nuk jemi duke folur për gaz amerikan ose të ndonjë shteti... Jemi duke folur për ndërtim të infrastrukturës. Në këtë rast, opsioni që është më i studiuari, është opsioni që e përmenda, i ndërtimit të infrastrukturës së gazit, gazsjellësit që do t’i jepte qasje Kosovës - përmes Maqedonisë së Veriut - në tregun e gazit natyror në Greqi. Pastaj, nëse do të ndërtohej një termocentral me gaz, operatori që operon në atë termocentral, do ta blinte në treg të lirë gazin”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli tha se nuk ka hezitim që Kosova të kyçet në tregun e gazit në Greqi, por dilema kryesore, sipas saj, është se nuk e di se sa do të kushtojë ky projekt.

“Kostoja kapitale e investimit është njëra prej tyre (dilemave). Jemi duke folur dhe, varësisht prej cilit model dhe cilit opsion, por llogaritjet janë që mund të kushtojë 600 milionë ose më shumë - nëse flasim vetëm për gazsjellësin dhe termocentralin. Kostoja operative pastaj është çështje tjetër që është e lartë. Sipas disa vlerësimeve, 40 për qind është kostoja e kapitalit, 60 për qind është kostoja operative”, tha Rizvanolli.

Ajo tha se përdorimi i gazit natyror ka disa përparësi, siç është emetimi i sasive më të vogla të karbonit, krahasuar me karbonin që lirohet nga djegia e thëngjillit.

Sipas saj, plani paraprak për ndërtimin e kësaj infrastrukture të gazit është që të bëhet përmes partneritetit publiko-privat, por ajo shtoi se Kosova ka pasur përvoja të hidhura me këtë model të partneritetit dhe, sipas saj, disa projekte edhe kanë dështuar.

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.

SHIKONI EDHE: Milionat që nuk sollën dritë