Organizatat që monitorojnë punën e kryetarëve të komunave në Maqedoni të Veriut, thonë se listat e pavarura nga iniciativat qytetare që futen në garën e zgjedhjeve lokale, paraqesin një mundësi të mirë për të nxitur realizimin e politikave që janë nën kompetencë të pushtetit lokal dhe janë në interes të qytetarëve.
Iniciativat qytetare, nga 16 deri më 30 gusht, kanë afat të mbledhin nënshkrimet e 2 për qind të trupit elektoral të komunave ku do të garojnë, si kusht për t’u regjistruar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
Pjesa më e madhe e iniciativave qytetare kanë bërë të ditur se këtë proces e kanë kryer për pak kohë, falë interesimit të qytetarëve për ideologjinë e re që përfaqësojnë, që për bazë thuhet se ka transparencën në vendimmarrje.
SHIKONI EDHE: Mjekët të preferuar për kryetar komunashNë Tetovë, më shumë përfaqësues të sektorit civil do të garojnë përmes listës “Më mirë për Tetovën”, përderisa në garë për të fituar besimin e elektoratit në Shkup, më shumë përfaqësues të sektorit civil garojnë nën ombrellën Qyteti Human i Gjelbër.
Me lista të pavarura sektori civil paraqitet edhe në komunën e Ohrit si dhe në disa komuna të tjera.
Hamdi Sulejmani, i cili kryeson listën e kandidatëve të pavarur për këshilltarë në asamblenë komunale të Tetovës, tregon për Radion Evropa e Lirë se për iniciativën qytetare që përfaqëson, është inkurajues fakti që brenda gjashtë orëve janë mbledhur një e treta e nënshkrimeve të nevojshme për t’u bërë pjesë e garës zgjedhore
“Ka aq shumë vrull te njerëzit, duket se qytetarët mezi presin të ketë ndryshime. Shumë shpejt, në një afat rekord, arritëm të mbledhim nënshkrimet e nevojshme”, thotë Sulejmani.
SHIKONI EDHE: Koalicione ndëretnike në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e VeriutEdhe nga Lista “Shans për Qendrën”, e përbërë nga më shumë aktivistë të sektorit civil, kanë njoftuar se brenda ditës kanë arritur që të mbledhin nënshkrimet e nevojshme për t’u futur në garë për këshilltarë në komunën e Shkupit, duke theksuar se kjo dëshmon për interesimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar profesionistë që do të angazhohen që qendra e Shkupit mos shndërrohet në një “ngrehinë betoni”.
Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike, thotë në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, se listat e pavarura janë atraktive për qytetarët, pasi ato do të rrisin nivelin e debatit, jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por edhe në asambletë komunale.
“Mendoj se këshilltarët që do të zgjidhen nga listat e pavarura, do të artikulojnë mendimin e qytetarëve në vendimmarrjen e komunave, gjë që nuk arritën ta bëjnë partitë më të mëdha. Ata (këshilltarët e listave të pavarura me përfaqësues të sektorit civil) do të nxisin një debat real, debat ky që u ka munguar asambleve komunale, për shkak të ngufatjes nga partitë politike dhe shefat lokalë, të cilët më tepër i kanë shikuar interesat e ngushta të tyre sesa interesat e qytetarëve në vendbanimet përkatëse”, thotë Sinani.
Përderisa Sefer Selimi, nga Instituti “Democracy Lab” thotë për Radion Evropa e Lirë se listat e pavarura do ta kenë shumë të vështirë sigurimin e ulëseve në asambletë komunale, për faktin se, siç thotë ai, ka mungesë të strukturave në teren karshi partive më të mëdha që nuk e kanë këtë problem.
“Ai faktor që nuk shkon në interes të këtyre listave në fjalë është mungesa e strukturës elektorale. Prandaj ata (përfaqësuesit e listave të pavarura) do të mbështeten te format alternative për të arritur te mbështetësit e ideve që promovojnë, gjë që do të jetë shumë e vështirë, edhe pse ato mund të jenë mjaft të dobishme për qytetarët”, thotë Selimi.
Por Petar Arsovski, politikolog, që merret me analizim të sondazheve të partive politike thotë se matjet e fundit tregojnë se është në rritje numri i qytetarëve, të cilët janë të pakënaqur nga puna e partive më të mëdha, qoftë nga blloku politik maqedonas apo ai shqiptar, andaj shton nga këtu lind dhe hapësira për veprimin e një opsioni të tretë.
“Shfaqja e listave të pavarura ka të bëjë me faktin se gjithnjë e më shumë është në rritje numri i qytetarëve që nuk dalin në votime apo gjatë sondazheve shprehen se janë të papërcaktuar, kështu që kjo i hap rrugë shfaqjes së një opsioni të tretë. Gjithsesi, shfaqja e listave të pavarura do t’ua turbullojë ujin partive politike me zgjedhjen e këshilltarëve nga këto lista edhe nëse numri i tyre mund të jetë i vogël. Megjithatë duhet pranuar se këto lista të pavarura do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë të sigurojnë drejtues komune, pasi modeli zgjedhor është i atillë që favorizon partitë më të mëdha, përkatësisht kryetari i komunës zgjidhet sipas modelit të shumicës ”, thotë Arsovski.
SHIKONI EDHE: Rritja e borxhit publik rrezikon destabilizimin financiarOrganizatat joqeveritare theksojnë se këshilltarët e pavarur do të jenë më kërkues për faktin se nuk i delegon asnjë parti, veçanërisht gjatë menaxhimit të mjeteve nga arka e komunës dhe për këtë arsye nënvizojnë se asnjëra nga partitë politike nuk dëshiron që ato të kenë sukses.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka dekretuar 17 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.