Puna e pazëshme e infermierëve të Kosovës

Klinika Infektive në QKUK.

Pak rrëfime të infermierëve dhe pak pamje nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), lejohen të dalin në publik.

Infermierët të cilët punojnë në Klinikën Infektive në shumë raste nuk lejohen t'u tregojnë mediave për punën që bëjnë për t’u kujdesuar dhe shpëtuar jetën e personave të prekur me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Kurse profesionistët shëndetësorë mendojnë se infermierët janë te vetmit të cilët mund të tregojnë realitetin.

Radio Evropa e Lirë ka bërë kërkesë tek organet kompetente për intervistim të ndonjë nga infermierët të cilët punojnë në Klinikën Infektive, por që në dy raste, ndonëse infermierët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë qenë të gatshëm të deklarohen, ata nuk janë lejuar të flasin nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

“Përshëndetje, nuk u aprovua në Komitet kërkesa, vetëm me drejtoreshën për prononcime, jo me të tjerët”, ishe një përgjigje që i është kthyer Radios Evropa e Lirë nga zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu më datën 1 korrik.

SHIKONI EDHE: Rastet e reja të vdekjeve nga koronavirusi, pa specifika të detajuara

Edhe një infermieres tjetër nga spitali i Prizrenit i është dashur ta anulojë intervistën, pasi që i ishte thënë se vetëm zëdhënësi mundet të prononcohet.

Pas marrjes të këtyre përgjigjeve, Radio Evropa e Lirë ka tentuar përsëri të intervistojë një infermiere, ku pas shumë përpjekjeve është realizuar biseda me Marigona Haziri, infermiere në Klinikën Infektive.

Qendra Klinike Universitare nuk i ka dhënë Radios Evropa e Lirë sqarime pse nuk po lejohen të infermierët të flasin për media.

Ndërkohë, qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk kanë shumë informacione në atë se me çfarë po ballafaqohen infermierët dhe stafi shëndetësor në Klinikën Infektive në këtë kohë pandemie.

Hana Mecinaj qytetare nga Prishtina thotë të mos ketë informacion për punën e infermierëve apo stafit tjetër shëndetësor që bëhet brenda Klinikës Infektive.

"Jo nuk kam parë shumë informata rreth kësaj çështje as nuk kam dëgjuar shumë, nuk e di se çfarë po ndodh. E di që kohëve të fundit janë shtuar rastet, por nuk e kam parë kur brenda qysh duket”, thotë ajo.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovarja që ndihmon të prekurit me COVID-19 në Londër

Ngjashëm mendon edhe Brikena Bulliqi nga Prishtina.

Ajo thotë se do të dëshironte të shihet një gjendje më reale se çfarë po ndodh në Klinikën Infektive dhe si po trajtohen pacientët atje.

“Nuk po shoh që ka shumë informacione se si po shkon puna në Klinikën Infektive. Sa di unë nuk ka mjaftueshëm (informacione), mendoj që nëse i kisha parë do të kisha besuar çka po ndodh dhe kishte qenë më mirë të dija pasi që nëse nesër mua më bie virusi, duhet ta di se çka me pret”, thotë ajo.

SHIKONI EDHE: Klinikës Infektive po i rrezikohen kapacitetet për të sëmurët me Covid-19

Në një nga masat e Qeverisë së Kosovës, të cilat kanë hyrë në fuqi më 6 korrik, thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore obligohen të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.

Strategji për informim të drejtë të qytetarëve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se së bashku me mediat do të ndërtohet një strategji mediatike për të informuar më drejtë qytetarët.

“Do të fillojmë me reportazhe të rregullta nga Klinika Infektive në mënyrë që qytetarët të shohin saktë se çfarë po vuajnë ata njerëz që janë të prekur me COVID-19. Sipas vlerësimeve, 30 për qind e qytetarëve në Kosovë nuk besojnë se COVID-19 është real”, ka thënë Hoti më datën 5 korrik.

Your browser doesn’t support HTML5

Mohimi i virusit rrezikon shëndetin publik

Naser Rustemi, kryetar i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, tha për Radion Evropa e Lirë se janë të vetmit infermierët ata të cilët mund të tregojnë realitetin.

“Unë mendoj që infermierët duhet të lejohet të tregojnë për punën e tyre, pasi që janë të vetmit që mund të tregojnë realitetin e punës se vet gjatë 12 apo 24 orëve në institucionin që punojnë, qoftë në Infektivë, qoftë në institucionet tjera shëndetësore, dhe kjo në asnjë moment nuk guxon të ndalohet”, thotë ai.

Autoritetet shëndetësore në luftë me pandeminë

Rrëfimet e infermierëve brenda Klinikës Infektive, thotë Rrustemi, do të vetëdijesonin popullatën, në mënyrë që të dinë saktë që virusi ekziston dhe po merr jetë.

“Infermierët janë duke bërë një punë të madhe e cila nuk mund të shpaguhet. Infermierët e kanë dëshmuar edhe më herët në epidemi të ndryshme punën e tyre e edhe tani ku po ballafaqohen me vështirësi. Për pesë muaj, asnjë ditë nuk e kanë të lirë, por infermierët do të çojnë misionin e vet pavarësisht rrezikimit të jetës së vet dhe të familjes së tyre”, thotë Rrustemi.

SHIKONI EDHE: Syla: Stafi shëndetësor është i stërlodhur dhe i mbingarkuar

Rastet e para me koronavirus, Kosova i ka shënuar më 13 mars. Deri më 8 korrik, numri i të prekurve me koronvirus në Kosovë ka arritur në gjithsej 4,100 raste pozitive me koronavirus.

Prej tyre, 86 pacientë kanë vdekur dhe 2,063 janë shëruar.

Pas rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus numri i të hospitalizuarve në Klinikën Infektive ka filluar të rritet.

Më datën 8 korrik, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se 270 pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në shtatë spitalet e përgjithshme.