Klinika Infektive pa shtretër të lirë 

Your browser doesn’t support HTML5

Të pavaksinuarit me COVID-19 apelojnë për imunizim

Lulije Qafleshi nga Prishtina, 57 vjeçe, është shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë, që prej 12 ditësh, pasi u infektua me koronavirus.

Gjendja klinike e saj gjatë kësaj kohe ishte e rëndë. Ajo tha se ishte në pritje të marrjes së vaksinës kur u infektua me COVID-19.

Tani ajo bën thirrje për vaksinim.

“Ju bëj apel të gjithëve që të vaksinohen sepse është rrezik shumë i madh pa vaksinë. Qe 12 ditë jam me terapi. Dje e kam marr veten sepse kam qenë në gjendje shumë të rëndë”, thotë ajo.

Lulije Qafleshi, e shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë (19 gusht 2021).

Edhe Fazli Jashari nga Podujeva, është i shtrirë në Klinikën Infektive qe dy javë. Edhe ai tha se ishte në pritje për tu vaksinuar.

Simptomat e sëmundjes, tregon ai, i kishte shumë të rënda.

“Kam pasur temperaturë të madhe dhe kam qenë shumë i lodhur. Kam qenë shumë keq. Nuk kam besuar që shpëtojë, që e përballojë sëmundjen. Ai që e din, si unë që e kam provuar virusin, e merr vaksinën dhe e mbron familjen. Unë kësmet sot shkoj në shtëpi, edhe ata që munden të vaksinohen, unë do t’i marr hiç pa i pyetur dhe do t’i dërgoj që të vaksinohen”, thotë ai.

Fazli Jashari, i shtrirë me COVID-19 në Klinikën Infektive në Prishtinë (19 gusht, 2021).

Për të infektuarit në Klinikën Infektive, përveç ekipeve mjekësore, përkujdesen edhe familjarët.

Jeton Hoti përkujdeset për nënën e tij e cila është e shtirë në Klinikë Infektive. Jetoni, i cili me vendbanim është në Kanada, është i vaksinuar, por thotë se në familjen e tij në Kosovë kanë hezituar të vaksinohen.

“Nuk janë vaksinuar se njëri po e thotë një rren dhe tani të gjithë po i besojnë. Por, asnjëri nuk po e din sa çka është ajo vaksinë. Ajo vaksinë është për mbrojtjen tonë. Me një fjalë, mos i dëgjoni të tjerët, por vaksinohuni”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: Më shumë pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi në Kosovë

Ngarkohen spitalet

Në Kosovë, situata me COVID-19 është rënduar dhe pothuajse të gjitha rastet e reja janë të variantit Delta, që është variant më ngjitës se varianti fillestar i koronavirusit.

Më 19 gusht, Kosova regjistroi numër rekord të rasteve të reja: 2.236 infektime brenda një dite.

Rritja e numrit të rasteve me koronavirus, ka nisur të ngarkojë edhe spitalet ku trajtohen të infektuarit. Më 19 gusht, numri i pacientëve të shtirë me COVID-19 në këto spitale është 527 pacientë.

SHIKONI EDHE: Çdo ditë, rekord i ri: Tetë të vdekur e 2.236 të infektuar

Në Klinikën Infektive në Prishtinë, më 19 gusht, nuk ka pasur asnjë shtrat të lirë.

Infektologu Izet Sadiku, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se nga 110 pacientë të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive, rreth 90 për qind e tyre janë me oksigjeno-terapi dhe shumica janë të pavaksinuar.

“Edhe pse është një kohë e shkurtër që ka filluar kjo vala e fundit, por përshtypjet tona janë që për këtë kohë të shkurtër, format klinike janë më të rënda sesa që kanë qenë në faza tjera. Prandaj për këtë po ju bëjmë apel njerëzve t’i respektojnë masat, të mbajnë distancë, të mos grumbullohen pa nevojë. Dhe njëkohësit të iu krijohen mundësitë që të vaksinohen sa më shumë për arsye se vaksina është mjeti kryesor për parandalimin e sëmundjes”, tha Sadiku.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja do të dërgojë këtë javë vaksina kundër COVID-19 në Kosovë  

Sipas ekspertëve amerikanë, vaksinimi kundër COVID-19 ul gjasat që personat e vaksinuar të infektohen me koronavirus, por ata që infektohen me Delta pas vaksinimit, kanë tendencë ta shpërndajnë virusin sikurse personat e pavaksinuar. Poashtu, personat e vaksinuar, që infektoheshin me virus, kanë simptoma më të buta të sëmundjes dhe e kalonjnë më shpejt atë.

Deri më 19 gusht, Kosova ka administruar mbi 644 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht, janë mbi 221 mijë persona.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, nga 20 gushti, në Kosovë hyjnë në fuqi masa te reja kufizuese kundër pandemisë.